ShBA-ja e Franca paralajmërojnë Iranin: Koha po harxhohet

  • S.A /
  • 26 June 2021 - 09:17
ShBA-ja e Franca paralajmërojnë Iranin: Koha po harxhohet

Shtetet e Bashkuara dhe Franca e kanë paralajmëruar Iranin se po mbaron koha që Republika Islamike të kthehet në marrëveshjen bërthamore, duke e theksuar shqetësimin se programi i ndjeshëm zhvillimor i Teheranit mund të avancojë, nëse bisedimet zhvillohen ngadalë. Në takimin e parë të nivelit të lartë në Paris nga administrata e Bidenit, sekretari i Shtetit, Antony Blinken, dhe homologu i tij francez, Jean-Yves Le Drian, e përshëndetën frymën e re të bashkëpunimit pas katër viteve me turbulenca gjatë pushtetit të ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Por dy palët thanë se një ndër premtimet kryesore të Bidenit – kthimi i Shteteve të Bashkuara në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me Iranin – është në rrezik, nëse regjimi klerikal nuk bën lëshime gjatë bisedimeve që po vazhdojnë për më shumë se dy muaj në Vjenë të Austrisë.

Kryediplomati amerikan paralajmëroi se ShBA-ja ka dallime serioze me Iranin, për të cilat i ka vazhduar bisedimet që nga fitorja e Ebrahim Raisit në zgjedhjet presidenciale javën e kaluar, shkruan The Guardian.

“Po, do të vijë një pikë, kur do të jetë shumë vështirë për t’u kthyer prapa te standardet e vendosura nga marrëveshja. Ende s’kemi arritur tek ajo pikë, s’mund të caktoj datë për këtë, por është diçka për të cilën ne jemi të vetëdijshëm”, deklaroi Blinken në Paris.

Edhe Franca i bëri trysni Iranit që të bëjë hapa për ta respektuar marrëveshjen. “Ne presim që autoritetet iraniane t’i marrin vendimet përfundimtare – pa dyshim, të vështira -, të cilat do të mundësojnë që bisedimet të përfundohen”, tha ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian.

(Kosova Sot Online )