Trazirat në Kapitol, policët dëshmojnë mes lotëve tmerrin e përjetuar

  • 28 July 2021 - 21:08
Trazirat në Kapitol, policët dëshmojnë mes lotëve tmerrin e përjetuar

Dëshmi emocionuese në seancën e parë të profilit të lartë lidhur me trazirat vdekjeprurëse të 6 janarit në Capitol Hill.

 “Mu duk sikur shkova në ferr për të mbrojtur ata dhe njerëzit në këtë sallë”, rrëfen Michael Marone i departamentit të Policisë së Uashingtonit.  

4 oficerë policie rrëfyen mes lotëve për një komision hetimor të Kongresit, traumën e përjetuar teksa mbronin Kapitolin në sulmin më të rëndë në gati dy shekuj.

Rreth 800 mbështetës të ish-presidentit Donald Trump, mësynë Kongresin teksa po certifikohej fitorja e Biden, sulmuan forcat ligjzbatuese, i fyen me epitete racore, i spërkatën me substanca kimike dhe kërcënuan t’i vrasin me armët e veta.

 “Protestuesit më quajtën tradhtar, dhe bërtitën se unë, një veteran i ushtrisë dhe oficer policie duhet të ekzekutohesha. Ajo që përjetuam atë ditë i ngjante një beteje mesjetare. Ne luftuam me duar për çdo centimetër për të parandaluar pushtimin e Kapitolit nga një turmë e dhunshme që synonte të prishte procesin tonë demokratik”, tregon polici Aquilino Gonell.

(Kosova Sot Online)