Gjobë deri 1 mijë euro për ata që gjenden pa certifikatë të vaksinimit në ambientet e mbyllura

  • A.P /
  • 03 August 2021 - 18:16
Gjobë deri 1 mijë euro për ata që gjenden pa certifikatë të vaksinimit në ambientet e mbyllura

Edhe pak orë na ndajnë e Italia aktivizon sistemin e përdorimit të certifikatës jeshile për të hyrë në ambiente të mbyllura në lokale, restorante, muze, kinema, palestra, pishina, evente kulturore e sportive, ceremoni fetare e civile etj.

Prej datës 6 gusht me vendim të qeverisë italiane, Green Pass-i bëhet i detyrueshëm për të hyrë në struktura publike, qendra shëndetësore e rezidenciale, e për të udhëtuar në Evropë.

Green Pass është një certifikatë jeshile që lëshohet nga Ministria Italiane e Shëndetësisë pas kryerjes së dy dozave të vaksinës Anti-Covid.

Mund të merret me një afat kohor të limituar dhe pas kryerjes së dozës së parë të vaksinës e që hyn në fuqi 14 ditë pas saj e deri në kryerjen e dozës së dytë.

Por me hyrjen në fuqi të kësaj mase të re, aktivizohet dhe sistemi i detyruar i kontrollit për të verifikuar vlefshmërinë e autenticitetin e certifikatës jeshile.

Në rast se kjo nuk kryhet janë parashikuar gjoba si për pronarët e bizneseve ashtu dhe për qytetarët.

Prej datës 6 gusht në Itali bëhet aktiv dhe sistemi i verifikimit të Green Pass përmes një aplikacioni të vënë në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë.

Çdo pronar duhet të kontrolloj barkodin e çdo klienti që do të frekuentoj ambientet e mbyllura të lokalit të tij.

Të dhënat e marra nga barkodi i cili duhet të konfirmoj se personi është i vaksinuar, do të krahasohen nëse korrespondojnë me kartën e identitetit të klientit.

Në rast se nuk kryhet një procedurë e tillë është parashikuar një gjobë nga 400 euro në 1000 euro si për pronarin e lokalit ashtu dhe për klientin. Pronari rrezikon gjithashtu dhe mbylljen 1 ditë apo 10 ditë të aktivitetit të tij.

Pashaporta jeshile bëhet jo e vlefshme në momentin kur personi rezulton pozitiv nga koronavirusi.

Gjatë këtyre orëve, qeveria italiane po punon për hartuar një hartë të funksionimit të pasaportës jeshile që mund të bëhet e detyrueshme dhe për të udhëtuar në trena e avionë si dhe për sistemin shkollor dhe atë të punësimit.

Gjithçka pritet të zbardhet gjatë orëve të ardhshme me një vendim të këshillit të ministrave të qeverisë së Mario Draghit.


(Kosova Sot Online)