Momenti kur Fatmir Sejdiu e kundërshtoi Rugovën: U çova dhe thashë, President unë kam vërejtje

  • A.P /
  • 03 August 2021 - 22:50
Momenti kur Fatmir Sejdiu e kundërshtoi Rugovën: U çova dhe thashë, President unë kam vërejtje

Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu, ka treguar një rast kur e kishte kundërshtuar Presidentin Ibrahim Rugova në vitin 2004 për listën e emrave të ministrave që i kishte propozuar për qeverinë e re.

Sejdiu ka thënë se askush në Kryesi nuk kishte ndonjë vërejtje për emrat, por jo edhe ai. Ai kishte reaguar, duke thënë se ka vërejtje dhe duke shprehur bindjen e tij se emrat e propozuar nuk do t’i përmbushnin detyrat, duke i veçuar dy ose tre prej tyre.

“Dhe Rugova po pyet, ishim në Velani. Tha a ka dikush ndonjë vërejtje në këta emra që i çova. Të gjithë anëtarët e Kryesisë thanë jo nuk kemi asnjë vërejtje. Thashë president, unë kam vërejtje dhe më kujtohet shumë mirë fjalia. Thashë mendoj se nga këto njerëz që keni propozuar dy eventualisht tre mund t’i përmbushin detyrat, të tjerët jo”, ka rrëfyer Sejdiu.

Sejdiu ka thënë se e kishte mirëkuptimin e Rugovës dhe për ta kundërshtuar dhe për t’u mos u pajtuar me vendimet dhe mendimet e tij.

“Ka pasur ndonjëherë temë, që kam pasur guximin dhe mirëkuptimin e tij që t’i them ndryshe”, ka thënë Sejdiu.

Pas kësaj vërejtje, raportet e tij me emrat e ministrave që i kishte kundërshtuar ishin acaruar. Por, në faza të mëvonshme disa prej tyre edhe e kishin falënderuar Sejdiun për kritikat e drejtpëdrejta.

“Dhe çka ndodh, ata njerëz më hidhen në qafë në forma të ndryshme. Por ka prej tyre, që në faza të mëvonshme më kanë falënderuar që kam qenë i drejtpërdrejtë”, ka thënë ish-presidenti.


(Kosova Sot Online)