Xhavit Haliti: Ik se na u kajt puna

  • A.P /
  • 16 August 2021 - 22:15
Xhavit Haliti: Ik se na u kajt puna

Xhavit Haliti, veprimtar dhe eksponent i luftës çlirimtare në Kosovë, është rrëfyer në Pressing lidhur me përjetimet e tij. Një prej përvojave, që kishte ndodhur në vitet e hershme të aktivizimit të tij, ka të bëj me ndeshjen e tij në rrugë me dy agjentë të sigurimit të shtetit UDBA.

Ai ka thënë se ishte në njërën prej rrugicave të kryeqytetit bashkë me një veprimtar, kur kishte hasur në dy oficerët e UDBA-s. Ai tha se qetësia që mbretëronte në atë rrugë e shqetësonte dhe jepte sinjalet e një skeme të përgatitur.

“Më dukej disi një qetësi që më shqetësonte. Shihej rrugica pa njerëz. Jemi kthy pas. Kur jemi kthy pas, i pashë dy oficerë të UDBA-s. Xhavit Kuçi dhe ky që e kanë vra… e ka vra Nazim Bllaca… Ibush Kllokoqi”, tha Haliti.

Tutje, tha se dy oficerët e UDBA-s kishin sharë serbisht dhe shtirë drejt tij, por nuk kishin arritur ta plagosnin.

“Unë jam kthy, dhe i thashë këtij ik se na u kajt puna. Ata kanë sha dhe kanë shtënë me armë. Unë kam kërcy me një oborr dhe më ka dalë një qen. Jemi ndal përpara me qenin dhe as  unë nuk fola e as ai nuk lehi. E kontrollova veten mos jam plagosur por isha në rregull”, ka vazhduar ai.

Për të shpëtuar nga kjo situatë, Haliti tha se kishte shkuar te shtëpia e veprimtarit Ahmet Haxhiu, babagjyshi i Albulena Haxhiut, i cili edhe ia kishte ofruar ndihmën që e kërkonte.

“Më pas kam dalë në korzo e kam shku në shtëpi te Ahmet Haxhiu, babagjyshi i Albulena Haxhiut”, ka rrëfyer ai.

(Kosova Sot Online)