Përçahet 'Lista Serbe'

  • A.P /
  • 19 August 2021 - 18:23
Përçahet 'Lista Serbe'

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar të enjten (19 gusht) se të gjithë ata përfaqësues të serbëve që do të garojnë në zgjedhjet lokale të Kosovës, të caktuara për 17 tetor dhe që nuk janë pjesë e Listës Serbe, nuk do të kenë mbështetjen e Beogradit zyrtar dhe të shtetit të Serbisë. Ai ka shprehur mendimin se të gjithë ata që nuk janë me Listën Serbe, nuk do ta marrin besimin e popullit.

“Ne do të dalim (në zgjedhjet lokale të Kosovës) si të bashkuar, sepse ata që nuk janë të bashkuar në Kosovë dhe që nuk janë prapa Listës Serbe, vështirë se do të marrin besimin e popullit. Besimin duhet ta merrni në bazë të bashkimit dhe unitetit dhe jo në bazë të shembjes së asaj që ju ruan dhe që ua ruan identitetin dhe mbijetesën në Kosovë”, ka thënë Vuçiq.

Kjo deklaratë e presidentit serb Vuçiq vjen pasi që Branimir Stojanoviq, ish-zëvendëskryeministër i Kosovës dhe ish-anëtar i partisë kryesore të serbëve të Kosovës, Listës Serbe, ka vendosur të kandidojë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Kosovë, si një kandidat i pavarur për kryetar të Graçanicës, komunë kjo me shumicë serbe, në afërsi të Prishtinës.

Lista Serbe tani e akuzon atë për “ndarje” të popullit serb në Kosovë, ndërsa Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, më herët ka dërguar porosi se vetëm kandidatët e Listës Serbe do të kenë mbështetjen e Beogradit zyrtar dhe shtetit të Serbisë.

Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Rangjell Nojkiq, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, thotë se herët apo vonë, ai priste një ndarje brenda Listës Serbe. Por, siç thekson ai, reagimi i Beogradit zyrtar ndaj kandidimit të Branimir Stojanoviqit, është i pashembullt.

“Mendoj se nuk është aspak e drejtë që njerëzit të ndahen në një mënyrë të tillë, veçanërisht në situatën në të cilën gjenden serbët në Kosovë. Ata praktikisht po i ndajnë në patriotë dhe në ata që janë armiq (të Serbisë), gjë që është e pashembullt dhe e pasaktë ”, nënvizon Nojkiq.

Ai gjithashtu thekson që, sipas burimeve të tij, tash e disa kohë, ka pasur pakënaqësi brenda Listës Serbe dhe kjo është arsyeja pse “Beogradi po përpiqet t’i kënaqë ata maksimalisht”.

“U japin atyre funksione, kompetenca të caktuara dhe kështu me radhë. Pastaj ata heshtin, domethënë nuk e shprehin zemërimin dhe pakënaqësinë e tyre publikisht”, thotë Nojkiq dhe deklaron se ky është momenti kur ajo pakënaqësi arriti kulmin.

“Lista Serbe sillet kështu siç po sillet, për shkak se të gjithë brenda saj kanë marrë përkujdesje të majme materiale, financiare dhe në çdo mënyrë tjetër… Por, pakënaqësia që shfaqet tek populli tregon se ata (Lista Serbe), nuk kanë kredibilitet t’i qasen popullit për t’i shpjeguar se si ata jetojnë mirë dhe se si Lista Serbe u siguroi atyre këtë apo atë”, thotë Nojkiq.



Për më shumë, shumica e zyrtarëve të Listës Serbe, kanë të paktën një punë në sistemin kosovar dhe një në atë serb dhe rrjedhimisht, kanë paga të dyfishta.

A do të ketë ndryshime në Graçanicë?

Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, konsideron që Lista Serbe mund të jetë seriozisht e rrezikuar në Graçanicë, marrë parasysh që Branimir Stojanoviq ka qenë një nga themeluesit e asaj partie.

“Kjo është sfidë vërtet serioze për Listën Serbe, sepse (Branimir) Stojanoviq mund të marrë një numër të madh votash. Kjo nuk do të thotë se ai do të marrë pushtetin, por ai mund të jetë një kopsë lidhëse për njerëzit e tjerë që nuk janë në Listën Serbe”, konsideron Janjiq.

Ai vlerëson gjithashtu se kandidatura e Branimir Stojanoviq, si kandidat i pavarur në zgjedhjet e ardhshme lokale, është një gjë e mirë për komunitetin serb në Kosovë.

Në këtë moment, thotë më tej Janjiq, mesazhet që vijnë nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, nuk janë aq të rëndësishme sepse ajo “mbron monopolin mbi serbët”.

“Autoritetet në Beograd vendosin se kush do të jetë kandidati dhe këtë e thonë hapur, madje kërcënojnë paraprakisht. Në përgjithësi, ajo politikë është e keqe. Të vendosësh të gjitha argumentet në një grumbull ose siç thotë populli ‘të gjitha vezët në një shportë’, nuk është mirë”, vlerësoi Janjiq.

Si filloi e gjithë kjo dhe çfarë është e kontestueshme?

Branimir Stojanoviq ka thënë se uniteti serb nuk ka kuptim nëse ky unitet duhet të jetë vetëm qëllim dhe jo që me të, të bëhet diçka.

Ai e tha këtë në një fjalim të tij për media, më 16 gusht, pasi që e paraqiti kandidaturën e tij në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, për pjesëmarrje në zgjedhjet e ardhshme lokale, të caktuara për 17 tetor.

Stojanoviq, ka vendosur që këtë herë të kandidojë në zgjedhjet lokale si kandidat i pavarur për kryetar të Graçanicës, komunë kjo me shumicë serbe, sepse është i pakënaqur me vendimin e Listës Serbe, partisë kryesore serbe në Kosovë dhe që ka mbështetje nga Beogradi zyrtar, për të nominuar Lilana Shubariqin për kryetare të Graçanicës.


Ai ka theksuar që nuk ka asgjë personale kundër Lilana Shubariqit, por se ajo nuk është e njohur për vendasit e komunës së Graçanicës.

Më pas, më 17 gusht, Lista Serbe mbajti një konferencë për media ku mori pjesë edhe vetë Llilana Shubariq. Kur gazetarët e pyetën këtë të fundit që të prezantohej për publikun, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq tha se një gjë e tillë nuk ishte e mundur, sepse fushata zgjedhore nuk ka filluar ende.

Ai vetëm tha shkurtimisht që Lilana Shubariq është një grua e respektuar dhe profesoreshë në Fakultetin e Mjekësisë në Mitrovicën e Veriut, i cili funksionon në sistemin arsimor të Serbisë.

Në të njëjtën konferencë për gazetarë, e cila u thirr për shkak të kandidimit të Branimir Stojanoviqit si kandiidat i pavarur, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, nuk deshi që të përgjigjet ndaj pyetjeve të gazetarëve, por pas deklaratës së tij, ai e braktisi hapësirën ku u mbajt koneferca.

Kush është Branimir Stojanoviq?

Branimir Stojanoviq nga Graçanica, në zgjedhjet lokale të vitit 2013, ishte zgjedhur për kryetar të Komunës së Graçanicës, në kuadër të Listës Serbe. Në fund të vitit 2014, është emëruar për zëvendëskryeministër të Kosovës, si pjesë e Listës Serbe, ndërkaq që më pas ishte edhe sekretar shtetëror në Ministrinë e Bujqësisë në Qeverinë e Serbisë.

Viteve të fundit, ai ishte kryetar i organit të përkohshëm të Komunës së Suharekës, strukturë kjo paralele që funksionon në kuadër të sistemit të Serbisë. Por, siç njoftoi vetë Stojanoviq, më 17 gusht, ai dha dorëheqje nga kjo pozitë.

Organet e përkohshme komunale në Kosovë funksionojnë sipas sistemit serb, ndërkaq kryetarët emërohen nga Qeveria e Serbisë.

Branimir Stojanoviq tani thekson që kandidatja për kryetare të Graçanicës, në kuadër të Listës Serbe, është përcaktuar nga gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Radomir Llaban.

“Një njeri, i cili, sipas përshkrimit të punës, nuk duhet të merret me politikë, por që në mënyra të ndryshme, duke abuzuar me pozitën e tij, njohjet personale me njerëz të caktuar, arriti të imponohet dhe tani ai përcakton se kush do të jetë kandidati për kryetar komune të Graçanicës, në kuadër të Listës Serbe”, tha Stojanoviq.

Reagime të ashpra ndaj kandidimit të Stojanoviqit

Branimir Stojanoviq nuk ka dashur të japë deklaratë për Radion Evropa e Lirë, me arsyetimin se ende nuk ka filluar fushata zgjedhore dhe se për një kohë, nuk do të japë deklarata për media.

Megjithatë, në konferencën për shtyp, më 16 gusht, ai tha se kandidatura e tij për kryetar të Graçanicës nuk do të prishte unitetin e serbëve, “por, ne do t’u japim njerëzve të drejtën të shprehin atë që ata mendojnë”.

“Shumë njerëz janë të pakënaqur, shumë njerëz do të jenë në gjendje që në zgjedhje të thonë se çfarë mendojnë për mënyrën, në të cilën përcaktohen sot kandidatët që konkurrojnë pranë Listës Serbe”, ka thënë Stojanoviq dhe shtoi se Lista Serbe, në vitetet e fundit, “ka neglizhuar strukturën e saj dhe ka krijuar disa eminenca gri, siç është Radomir Llaban, i cili ka autoritetin dhe të drejtën të përcaktojë, gjë që nuk do të duhej ta bënte”.

Në anën tjetër, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, më 17 gusht, akuzoi Branimir Stojanoviqin se po ia shënonte shënjestrën në ballë Radomir Llabanit.

“Një serb, anëtar i yni i deridjeshëm, ka sulmuar anëtarin e vetëm serb, gjykatësin në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Shtrohet pyetja se pse Bane (Branimir) Stojanoviq e bëri këtë? Cili është interesi (i tij) që ai njeri të mos jetë më përfaqësuesi serb, gjegjësisht, gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, ndërkaq që e dimë që ajo gjykatë ia ka kthyer 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit”, theksoi Rakiq.

Megjithëkëtë, Radomir Llaban nuk ishte gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës kur u mor vendimi që 24 hektarë tokë i takojnë Manastirit të Deçanit, sepse Gjykata Kushtetuese e Kosovës këtë vendim e kishte marrë në vitin 2016.

Radomir Llaban u bë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dy vjet më vonë.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, mohoi pretendimet e Branimir Stojanoviqit se Radomir Llaban, është ai që vendos se kush do të jetë kandidat për kryetar komune nga Lista Serbe, duke theksuar se vetë partia e bën këtë në konsultim me Beogradin zyrtar.


Ndaj kandidaturës së Branimir Stojanoviq për kryetar të Graçanicës, poashtu reagoi përmes një komunikate edhe nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, duke deklaruar se “kotësia dhe ambicia e shfrenuar personale mposhtën ish-anëtarin e Listës Serbe”.

“Stojanoviq, i shtyrë nga kotësia personale, fatkeqësisht dështoi në testin e besnikërisë ndaj idesë së unitetit serb, demonstroi se ai nuk është lojtar i ekipit dhe se nuk është i gatshëm të pranojë nevojën për ndryshime të vazhdueshme brenda sistemit”, tha Igor Simiq.

Ndaj kësaj deklarate, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, u përgjigj Branimir Stojanoviq, i cili tha se për shkak të reagimit të tillë, ai vendosi të kandidojë për kryetar të Graçanicës.

“Nëse do të isha një oportunist, ndoshta do të isha ulur në një nga vendet tuaja tani. Unë kurrë nuk kam tradhtuar askënd, ndërkaq ju keni një listë të gjatë të tradhtish dhe oportunizmit politik. Për shkak se nuk keni dashur t’i dëgjoni në mënyrë racionale argumentet brenda shtëpisë, tani do t’i dëgjoni publikisht ”, ka shkruar Stojanoviq.

Ai ka theksuar se jep dorëheqjen nga pozita në organin e përkohshëm të Suharekës, duke iu drejtuar ish-kolegëve të tij në Listën Serbe se “ju nuk mund t’i numëroni pagat dhe privilegjet”.

Kush është Radomir Llaban?

Radomir Llaban, të cilin Branimir Stojanoviq e akuzon se ka fjalën kryesore brenda Listës Serbe, nuk iu përgjigj thirrjeve dhe mesazheve të Radios Evropa e Lirë.

Që nga gushti 2018, Llaban është gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Siç thuhet në faqen zyrtare të internetit të Gjykatës Kushtetuese, në periudhën nga viti 2011 deri në vitin 2018, Llaban ishte këshilltar i lartë ligjor në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Radomir Laban (i dyti nga e majta), gjatë dhënies së betimit më 2018.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës përbëhet nga nëntë gjyqtarë dhe bazuar në Kushtetutën dhe Ligjin për Gjykatën Kushtetuese, ata duhet të jenë juristë të shquar me karakter më të lartë moral, me të paktën 10 vjet përvojë punë profesionale, si dhe me reputacion të shkëlqyer profesional.

Radomir Llaban ishte njëri prej kandidatëve me numrin më të madh të pikëve për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe kishte edhe mbështetjen e Listës Serbe. Në prag të emërimit të Radomir Llabanit si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, presidenti i atëhershëm Hashim Thaçi kërkoi verifikim shtesë, për shkak të së kaluarës së tij të dyshimtë. Por, në fund ai u zgjodh gjyqtar për një mandat nëntëvjeçar.

Ndryshe, Llaban ka qenë i dënuar me gjashtë vjet burg në Serbi, sepse ishte pjesë e të ashtuquajturës “mafia doganore”, një grup i të dyshuarve për veprime të marrjes dhe dhënies së ryshfetit, shpërdorimit të pozitës zyrtare dhe falsifikimit të dokumenteve.

Radio Evropa e Lirë ka raportuar më parë se Llaban ishte në arrati nga drejtësia në Serbi, që nga viti 2011. Emri i tij është në urdhërarrestin serb që nga viti 2012, ndërsa ai është në urdhërarrestin e Interpolit që nga viti 2014.

Lidhur me kandidimin e Branimir Stojanoviqit për kryetar të Graçanicës, ka folur edhe vetë drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Ai deklaroi se “kandidimi i oportunistit politik Branimir Stojanoviq, i cili do të konkurrojë kundër Listës Serbe në zgjedhjet lokale në Graçanicë, është mbështetje e drejtpërdrejtë për armiqtë e Serbisë, ata që punojnë kundër serbëve dhe unitetit serb në Kosovë”.

“Prandaj edhe një herë, zëshëm theksojmë se vetëm kandidatët e Listës Serbe, kanë mbështetjen e Beogradit zyrtar dhe të shtetit të Serbisë”, theksoi Petkoviq.

Vrasjet e politikanëve serbë pas zgjedhjeve lokale

Njohësi i zhvillimeve politike, Rangjell Nojkiq, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, ka rikujtuar zgjedhjet e vitit 2017, “kur Olliver Ivanoviq, në kuadër të SDP-së (Liri, Demokraci, Drejtësi) ishte kundërkandidat serioz i Listës Serbe”.

“Ndoshta nuk është një krahasim adekuat, por Olliver Ivanoviq ishte problem i madh për Listën Serbe. E përsëris edhe një herë, nuk dua të krahasoj se si përfundoi situata me Olliverin, tani është e pamundur që diçka e tillë të ndodhë përsëri, por shqetësimi është këtu ”, thotë Nojkiq.

Olliver Ivanoviq u vra në janar të vitit 2018, vetëm disa muaj pas zgjedhjeve lokale në Kosovë, në të cilat ai ishte bartës i listës “Liri, Demokraci, Drejtësi – Oliver Ivanoviq”.
Gjatë fushatës parazgjedhore për ato zgjedhje lokale, të cilat u mbajtën në nëntor të vitit 2017, katër kandidatë për asambleistë u tërhoqën nga lista e tij për shkak të frikësimit, ndërkaq Ivanoviqit iu dogj makina në Mitrovicën Veriore.

Asokohe, me 1.051 vota, ai fitoi një vend në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut.

Gjithashtu, në fillim të vitit 2014, Ivanoviq ishte një prej kandidatëve për kryetar të Mitrovicës së Veriut, kur u arrestua nën dyshimin se kishte kryer krime lufte kundër civilëve shqiptarë të Kosovës, gjatë viteve 1999 dhe 2000. Në vitin 2016, ai u dënua me nëntë vjet burg dhe më pas Gjykata e Apelit të Kosovës urdhëroi rigjykimin në shkurt të vitit 2017. Në muajin prill të atij viti, iu hoq masa e arrestit shtëpiak dhe iu mundësua që të mbrohet në liri.

Në të njëjtën datë kur u vra Oliver Ivanoviq, më 16 janar, por katër vjet më parë (më 2014), Dimitrije Janiqijeviq, i cili mori pjesë në zgjedhjet lokale të vitit 2013 në kuadër të Partisë Liberale të Pavarur, u vra gjithashtu në Mitrovicën e Veriut. Këto ishin zgjedhjet e para lokale që u organizuan sipas sistemit të Kosovës në katër komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Në vitin 2013, me mbështetjen e Beogradit zyrtar, u formua Lista Serbe. Që atëherë, ajo është partia kryesore serbe e Kosovës, e cila në të gjitha zgjedhjet lokale dhe parlamentare, ka fituar rreth 90 përqind të votave të votuesve nga radhët e komunitetit serb.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, Lista Serbe fitoi të dhjetë vendet e garantuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës. Gjithashtu, të dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë udhëhiqen nga Lista Serbe.


(Kosova Sot Online)