Amerika del nga skena, Evropa frikësohet për pasojat

  • A.P /
  • 22 August 2021 - 17:40
Amerika del nga skena, Evropa frikësohet për pasojat

Kur më në fund presidenti Joe Biden theu heshtjen dhe foli për kaosin që përfshiu Afganistanin, aleatët evropianë që kishin shpresa të mëdha për një ringjallje të aleancës, mbetën të tronditur.

Zhgënjimi i tyre nuk erdhi për shkak të përmbajtjes së fjalimit të Biden, por për shkak të optikës “Amerika e Para” që po parashtronte udhëheqësi i “botës së lirë”, teksa lante duart nga një problem global. Vendimi i njëanshëm për t’u tërhequr dukej se binte në kundërshtim me kryefjalën e Biden kur hyri në Shtëpinë e Bardhë: “Amerika u kthye”.

Një krizë si ajo që po pështjellohet në Afganistan, për disa ka nxjerrë në pah realitetin që, pa Amerikën, aftësia e Evropës për të kontrolluar fatin e saj është e kufizuar. Nga Londra, në Paris, nga Brukseli, në Berlin, rënia e papritur e Kabulit tregoi kufizimet e Evropës në diplomaci, aftësi ushtarake dhe stabilitet politik.

Diplomatë dhe zyrtarë në të gjithë kontinentit kanë shprehur keqardhjen, privatisht, për një fakt të pakundërshtueshëm: Nëse Amerika thotë që “mori fund”, atëherë ka marrë fund vërtet.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, e ka thënë publikisht që tërheqja është gabim që i sinjalizonte Talibanët për fitore. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar tha për CNN se ishte përpjekur që të bindte si Trump-in, ashtu edhe Biden-in, që të ngadalësonin tërheqjen, por nuk kishte mundur ta bënte këtë.

Shumë zyrtarë dhe diplomatë të tjerë evropianë kanë thënë për CNN se janë tronditur nga deklarata e Biden që interesi i vetëm i Shteteve të Bashkuara në Afganistan ishte të neutralizoheshin terroristët që kishin organizuar sulmet e 11 shtatorit 2001 dhe parandalimi i sulmeve të ngjashme në tokën amerikane.

Tani, ata i druhen pasojave humanitare dhe politike që do të sillte një emigracion masiv i njerëzve nga një shtet i drejtuar nga militantë të cilët historikisht kanë strehuar terroristë dhe që është i lidhur me tokë me Evropën.

Pa madhështinë e Amerikës për të mbajtur situatën nën kontroll, Evropa është në mënyrë të pamohueshme, më e ekspozuar. Siç edhe ka thënë një zyrtar i Bashkimit Evropian: “Kur Amerika ndryshoi kurs në Siri, kriza shpërtheu në Evropë, jo në Shtetet e Bashkuara”.

Ende sot ndihen në kontinentin e vjetër pasojat e vendimit të ish-presidentit Barack Obama për të mos sulmuar regjimin e presidentit sirian, Bashar al-Assad, pas raportimeve se ai po përdorte armë kimike ndaj njerëzve të tij. Jo vetëm që miliona sirianë kërkuan strehim në Evropë, por vakumi i lënë nga Amerika krijojë hapësira që grupet terroriste të ndërtonin bazat prej nga të kryenin sulme në të gjithë botën.

Gjeografia dhe historia na bëjnë të kuptojmë që pasi Amerika të largohet përfundimisht dhe talibanët të marrin kontrollin e plotë të Afganistanit, njerëzit e zakonshëm të mbetur pas, të cilët i druhen përndjekjes, do të bëjnë çdo përpjekje për t’u larguar nga vendi i tyre. Kjo do të thotë që Evropa mund të përballet shumë shpejt me një valë të madhe emigracioni nga njerëz që kërkojnë strehim, të cilët, do t’i hapin shumë probleme veçanërisht Bashkimit Evropian.

Nëse shifrat e të larguarve nga Afganistani do të ngjasojnë sadopak me ato të sirianëve në vitin 2015, Bashkimi Europian praktikisht do të ketë dy mundësi: Të paguaj fqinjët rajonalë për t’i mbajtur këta refugjatë, ose të dakordësohet për kuotat e shpërndarjes në vendet e bllokut.

Politikisht, Bashkimi Europian nuk është në ditët e tij më të mira, për të arritur një marrëveshje të tillë, kështu që me shumë gjasa do të zgjedhë opsionin e parë. Por edhe kjo alternativë nuk është se rezultoi shumë e suksesshme. Brukseli bëri marrëveshje me Erdogan-in, por ky i fundit i përdori refugjatët si parmë politike dhe hapi dyert duke i “lëshuar” ata drejt Greqisë.

Gjithashtu, zyrtarët e Bashkimit Europian e dinë mirë rrezikun që mund të kanoset nga rritja e ndjenjave kundër emigrantëve. Pas krizës së vitit 2015, grupet euroskeptike korrën fitore domethënëse me retorika kundër emigracionit dhe vetë Bashkimit Europian. Disa prej tyre qenë aq të suksesshëm, sa ndryshuan skenën politike. Në Francë, Holandë dhe Danimarkë, partitë politike tradicionale përdorin fjalorin e ekstremit të djathtë, për të ruajtur bastionet e tyre.

Kjo ndihmon kauzën populiste, sipas të cilës rrugët e ligjshme dhe të paligjshme të emigracionit janë shfrytëzuar nga njerëz që kërkojnë të sulmojnë Europën, edhe pse ky numër është tepër i vogël. Të gjitha këto, shqetësimi për sigurinë, ndjenja kundër emigrantëve dhe retorika anti-BE ia kanë vështirësuar së tepërmi jetën Brukselit, që pëlqen të quhet promovues global i të drejtave të njeriut, lirisë dhe demokracisë.

Një zyrtar i Komisionit Europian shpjegoi për CNN se do të donte të vijonte me financimin e projekteve humanitare dhe të të drejtave të grave në Afganistan, por miratimi i fondeve do të ishte i vështirë tashmë që Amerika është larguar dhe ligjin e bëjnë Talibanët. Dhe nëse papritur qytetarëve evropianë do t’u kërkohet të presin mijëra qytetarë afganë, ata mund të bëhen edhe më armiqësorë.

Përtej Bashkimit Evropian, kriza ka ekspozuar edhe nevojën e jashtëzakonshme që evropianë kanë për sigurinë e Amerikës, përmes NATO-s. Disa kanë nisur që tani të kërkojnë marrjen e vendimeve urgjente për të zgjidhur këtë problem. Tom Tugendhat, deputet britanik, i cili ka shërbyer edhe si ushtar në Afganistan, i kërkoi kolegëve që të punohej për rigjallërimin e partnerëve evropianë në NATO, në mënyrë që aleanca të mos varej nga një shtet i vetëm.

Por për ta bërë këtë, rruga është e gjatë. Vetë Mbretëria e Bashkuar, vendi me ushtrinë e dytë më të madhe në NATO, kuptoi që nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të ndiqte Shtetet e Bashkuara dhe të largohej nga Afganistani.

Bashkimi Europian e ka cekur prej kohësh temën e konsolidimit të ushtrive të vendeve anëtare, por është një çështje për të cilën shtetet janë aq të ndara, saqë Brukseli nuk e ka farë mundësinë që të mbushë boshllëkun e lënë nga Amerika.

Vendimi i Biden, dhe shfaqja e asnjë pendese, është kritikuar për shumë arsye. Por ndoshta aspekti më pak i pëlqyeshëm i atij vendimi është se Amerika e ka luksin të largohet, ndërsa Evropa jo.

Bota e lirë, pa udhëheqësin e saj, nuk ka asnjë mundësi që të rregullojë këtë lëmsh dhe të mbrojë vlerat të cilat i quan aq të shtrenjta. Për më tepër, po mbarojnë edhe mënyrat për të ndihmuar të tjerët.

Analizë nga Luke McGee, CNN


(Kosova Sot Online)