Det i trazuar në jug , mbyten shtatë persona

  • G.G /
  • 16 September 2021 - 08:53
Det i trazuar në jug , mbyten shtatë persona

Së paku shtatë persona janë mbytur në ujërat e trazuar të Mesdheut në jug të Francës, thanë autoritetet franceze.

Viktimat ishin duke notuar në det pavarësisht paralajmërimit për rrezik nga uji i rrëmbyeshëm. Deti ishte trazuar nga stuhia me erë të fuqishme, shkruan BBC.

Pesë persona, në të gjashtëdhjetat e shtatëdhjetat, vdiqën në pesë plazhe në Herault. Dy burra të tjerë, njëri 58 e tjetri 71 vjeç, u mbytën në dy plazhe në Bouches-du-Rhone.

Shërbimet emergjente në Herault thanë se u përpoqën që të shpëtonin 12 persona nga mbytja në ujërat e pesë plazheve. Shtatë prej tyre u shpëtuan dhe pesë vdiqën.

“Nuk kuptoj se si njerëzit u futën në ujë, kur deti ishte i trazuar. Është ditë dramatike për rajonin tonë”, tha Jordan Dartier, kryetar i qytezës Vias, ku një burrë u mbyt në ujë pasi raportohet të ketë rënë nga gurët.

Pasdite, policia në Herault i largoi njerëzit nga të gjitha plazhet që nuk kishin shpëtimtarë. Autoritetet rajonale e kanë shpallur alarmin me ngjyrë të portokalltë, duke paralajmëruar stuhi dhe vërshime.

(Kosova Sot Online)