Ish-ambasadori amerikan në Beograd: SHBA-ja vazhdon të punojë për Kosovën

  • E.K /
  • 10 October 2021 - 13:51
 Ish-ambasadori amerikan në Beograd: SHBA-ja vazhdon të punojë për Kosovën

Ish-ambasadori amerikan në Beograd, Cameron Munter tha se fakti që Serbia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës e pengon atë që ta marrë vendin e saj në Evropë dhe, siç thotë ai, ta ndërtojë një të ardhme paqësore dhe prosperuese për qytetarët e saj.

Munter thotë se Shtetet e Bashkuara i kanë inkurajuar vendet e tjera që nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë këtë që nga viti 2008, dhe thekson se SHBA-ja po përpiqet të punojnë ngushtë me aleatët e saj për Kosovën.

Duke iu përgjigjur pyetjes së agjencisë serbe të lajmeve,Tanjug nëse dhe SHBA-ja po u bën presion vendeve, veçanërisht atyre anëtare të BE-së për ta njohur Kosovën, Munter tha:

“Supozoj se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta bëjnë këtë, veçanërisht në marrëveshje me shumicën e vendeve të BE-së që gjithashtu e njohin Kosovën.”

I pyetur nëse pret që një i dërguar i ri amerikan për dialogun Kosovë-Serbi të emërohet së shpejti dhe nëse kjo do të thotë që SHBA-ja të përfshihet më shumë në këtë proces, Munter tha se i dërguari i mundshëm duhet të përqëndrohet më shumë në propozimet konkrete për reformat në Ballkan.

“Unë do të përqendrohesha më shumë në propozimet konkrete të reformës në Ballkan, zgjidhjen e çështjeve të ndezura të qeverisjes dhe zhvillimit ekonomik, sesa në nismat institucionale”, tha Munter, i cili tani drejton Institutin EastWest (EWI) në New York.

Duke komentuar pikat e mbetura për t’u zbatuar nga Marrëveshja e Washingtonit e nënshkruar në shtator të vitit 2020 dhe se sa detyruese është ajo për administratën e Joe Biden, Munter tha beson se marrëveshja është planifikuar dhe ekzekutuar dobët që nga fillimi.

“Kjo ndodhi kryesisht për qëllime politike të brendshme amerikane – duke mos pasur parasysh synimet serioze të politikës së jashtme”, tha ai.

Munter shërbeu si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Pakistan nga viti 2010 deri në vitin 2012, gjatë kohës së sulmit në të cilin u vra Osama bin Ladin. Ai ishte ambasadori i SHBA-së në Serbi nga viti 2007 deri në vitin 2009, kur Kosova u bë e pavarur.

(Kosova Sot Online)