Video “live” në profilin e Dardan Krivaqës, ai tregon nga burgu çka po ndodh me Instagramin e tij

  • E.K /
  • 11 October 2021 - 15:13
 Video “live” në profilin e Dardan Krivaqës, ai tregon nga burgu çka po ndodh me Instagramin e tij

Derisa Dardan Krivaqa po qëndron në paraburgim nën dyshimet se ka keqtrajtuar për disa ditë me radhë, e pastaj e ka vrarë partneren e tij Marigona Osmani, dikush nga jashtë po ia keqpërdor rrjetet sociale.

Në llogarinë e Dardan Krivaqës në Instagram, dikush ka publikuar video “live”.

Lidhur me këtë, nga Gjykata Themelore në Ferizaj kanë konfirmuar se Krivaqa është në paraburgim dhe se të njëjtit i është vazhduar masa e paraburgimit për dy muaj.

Ndërsa nga Shërbimi Korrektues i Kosovës kanë deklaruar se i dyshuari është i vendosur në Burgun e Sigurisë së Lartë dhe se është nën monitorim permanent nga stafi i sigurimit në këtë burg.

“Pas pyetjeve tuaja, i njëjti është intervistuar dhe deklaron se dikush nga jashtë mund t`i ketë keqpërdorur llogaritë e tij të rrjeteve sociale”, thuhet në përgjigjen e ShKK-së për lajmi.net.

Po ashtu është ritheksuar se të njëjtit nuk i lejohet përdorimi i telefonit mobil brenda hapësirave të burgut, përveç telefonave të kabinave telefonike të cilat i posedon ky burg.

Ndryshe Prokuroria Themelore në Ferizaj ka pranuar së fundi raportin e autopsisë së 18-vjeçares, Marigona Osmani nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Nga Prokuroria Themelore në Ferizaj është theksuar se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Krivaqa, më 22 gusht 2021 ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj tashmë të ndjerës Marigona Osmani, me çka në bashkëkryerje edhe me të dyshuarin Arbër Sejdiu (i cili gjendet në paraburgim) kanë kryer këtë vepër penale.

Gjithashtu sipas Prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Arbër Sejdiu, më 22 gusht 2021, gjatë gjithë kohës ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes kur i pandehuri tjetër Dardan Krivaqa, ka ushtruar dhune psikike dhe fizike ndaj tashmë të ndjerës dhe me këtë rast i njëjti (Arbër Sejdiu) ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në kryerjen e veprës penale, në vdekjen e të ndjerës. Në bazë të Prokurorisë, që të dy të dyshuarit më pas të njëjtën e kanë dërguar në spital pa shenja jete.

https://www.gazetaexpress.com/wp-content/uploads/2021/10/53.mp4

(Kosova Sot Online)