Daka paralajmëron ndjekje ligjore për shkarkimin e saj

  • A.P /
  • 19 tetor 2021 - 19:50
Daka paralajmëron ndjekje ligjore për shkarkimin e saj

Zgjedhjet lokale të 17 tetorit janë monitoruar edhe nga të dërguarit e Bashkimit Evropian.

Këta të fundit, përmes një konference për media, sot kanë prezantuar raportin me gjetjet e tyre mbi këto zgjedhje.

Ndër të tjerash, vëzhguesit e BE-së, në raportin e tyre kanë theksuar një mos-relevancë mbi shkarkimin e Valdete Dakës si kryesuese të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nga ana e Presidentës, Vjosa Osmani.

“Vendimi i Presidentes së Kosovës për të shkarkuar ish-kryesuesen e KQZ-së së Valdete Daka, është marrë më 14 qershor katër vjet para skadimit të mandatit të saj të dytë dhe vetëm një ditë para shpalljes së zgjedhjeve lokale nuk mund të mbështetej në mënyrë adekuate as me arsyetimin e vendimit as nga bazat e shënuara të Ligjit për Zgjedhje te Përgjithshme”, thuhet në raportin e vëzhguesve të Bashkimit Evropian.

Lidhur me këtë, ka pasuar edhe reagimi i ish-kryesueses së KQZ-së, Valdete Daka.

E kontaktuar dhe pyetur nga Lajmi.net se a do të ndërmarrë dispozita ligjore mbi shkarkimin e saj, Daka ka deklaruar se do t’a bëjë një gjë të tillë.

“Natyrisht, për më shumë do të njoftoheni me kohë”, ka thënë shkurt ish-kryesuesja e KQZ-së.

Valdete Daka u shkarkua nga pozita e kryesueses së KQZ-së më 14 qershor të këtij viti, 4 vite para se t’i perfundojë mandati i dytë si e para e këtij institucioni.

Në vendimin e Presidentes Osmani për shkarkimin e Valdete Dakës thuhej se kjo e fundit nuk ka qenë forcë e pavarur, duke bërë kështu mosbalancimin e nevojshëm në aspektin politik.

“Kryesuesja e KQZ-së, në shumë raste, nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike kështu duke u pamundësuar balancin e nevojshëm në këtë organ. Në fakt, në disa raste, sjelljet e Kryesueses janë të njëjta me ato të disa përfaqësueseve të partive politike në KQZ. Rrjedhimisht, Kryesuesja, qoftë me veprim apo mosveprim, ka kontribuuar në përshkallëzimin e situatës gjatë mbledhjeve të këtij organi”, thuhej në vendimin e Presidentes mbi shkarkimin e Dakës.

(Kosova Sot Online)