Vdekja e katër turistëve në Qerret, ambasada ruse: Mund të kryhet një ekspertizë edhe në Rusi

  • E.K /
  • 22 October 2021 - 14:53
Vdekja e katër turistëve në Qerret, ambasada ruse: Mund të kryhet një ekspertizë edhe në Rusi

Ambasada e Rusisë në Tiranë ka bërë të ditur me anë të një postimi në Facebook se trupat e pajetë të katër turistëve, të cilët u gjetën të vdekur në ambientet e një hoteli në Qerret të Kavajës, janë nisur mëngjesin e sotëm për në Moskë.

Ndërkohë, ambasada thekson se për të përcaktuar vdekjen e turistëve mund të kryhet një ekspertizë mjeko-ligjore shtesë edhe në Rusi.

“Në mëngjesin e hershëm të 22 tetorit trupat e pajetë të shtetasve rusë, të cilët humbën jetën në 15 tetor në territorin e Republikës së Shqipërisë, u nisën në Rusi me një fluturim të rregullt. Sipas legjislacionit rus, mund të kryhet një ekspertizë mjeko-ligjore shtesë për të zbuluar shkaqet e vdekjes së tyre. Shpresojmë në marrjen sa më të shpejtë të përfundimeve zyrtare nga pala shqiptare, si edhe në bashkëpunimin e mëtejshëm të ngushtë të organeve ligjzbatuese ruse dhe shqiptare për sqarimin e rrethanave të tragjedisë”, mbyllet reagimi i ambasadës Ruse në Tiranë.

Ndërkohë, A2 CNN ka siguruar ekskluzivisht dëshmitë e dy prej punonjësve të hotelit në Qerret të Kavajës ku humbën jetën tragjikisht 4 rusë të së njëjtës familje. Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur një javë më parë grupi hetimor mori në pyetje dhe punonjësin e pishinës personin me iniciale N.H. i cili tha për hetuesit se si çdo ditë ai bënte pastrimin e pishinës në të cilën ka hedhur vetëm një gotë me klor. Ngjarja ngre pikëpyetje të shumta në një kohë që nga dosja hetimore, por edhe dëshmitë e punonjësve hedhin poshtë disa prej pistave te mundshme. Grupit të hetimit një ditë më parë iu kthyen mbrapsht dhe mostrat e ujit pasi rezultojnë të marra jo sipas kushteve të duhura për t’u analizuar.

(Kosova Sot Online)