Ky shtet shënon rastin e parë me Covid-19

  • E.K /
  • 30 October 2021 - 14:58
Ky shtet shënon rastin e parë me Covid-19

Shteti i vogël ishullor, Tonga, e ka raportuar rastin e parë me Covid-19. I infektuari ishte një udhëtar i ardhur nga Zelanda e Re.

Tonga ka qenë në mesin e pak vendeve në botë që e kanë shmanguar përhapjen e virusit. Ngjashëm si fqinjët e saj të vegjël, izolimi nga pjesa tjetër e botës e ka mbajtur Tongën të sigurt, por vendi përballet me sfida të mëdha, nëse virusi përhapet, sepse ka sistem shëndetësor me mungesë burimesh.

Fiji, afër Tongës, arriti që ta mbante larg përhapjen e madhe të virusit deri në prill, kur varianti Delta preku më shumë se 50.000 njerëz dhe la të vdekur së paku 673, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Kryeministri i Tongës, Pohiva Tu’i’onetoa, tha në një fjalim të transmetuar në radio se udhëtari i infektuar ishte në mesin e 215 pasagjerëve që kishin arritur përmes një fluturimi nga qyteti Christchurch të mërkurën dhe se është vetizoluar në një hotel për karantinim.

Dr. Siale Akau’ola nga Ministria e Shëndetësisë e Tongës tha se është fatkeqësi që aeroplani nga qyteti i Zelandës së Re tashmë e kishte nisur fluturimin para marrjes së lajmit për shënimin e disa rasteve me Covid-19 atje.

Ai tha se janë futur në karantinë të gjithë punëtorët e vijës së parë të frontit, përfshirë stafin shëndetësor, policët dhe stafin e aeroportit, që kanë qenë në detyrë kur kishte ardhur aeroplani me të infektuarin nga Zelanda e Re.

Tonga ka rreth 106.000 banorë. Nga ta, rreth 31 për qind janë vaksinuar plotësisht kundër Covid-19, ndërsa 48 për qind e tyre e kanë marrë të paktën një dozë, sipas faqes “Our World in Data”.

(Kosova Sot Online)