Ia shohim sherrin Serbisë, furrtarët fryjnë edhe çmimin e bukës deri 40 për qind

  • E.K /
  • 02 November 2021 - 14:06
Ia shohim sherrin Serbisë, furrtarët fryjnë edhe çmimin e bukës deri 40 për qind

Pagat nuk kanë ndryshuar prej vitesh, por jeta po bëhet edhe më e shtrenjtë në Kosovë në periudhën e pandemisë. Produktet kryesore në tryezën e kosovarëve, varësisht nga lloji, kanë shënuar rritje deri 50 për qind.

Çmimet e konsumit, të cilat kanë shënuar rritje gjatë muajve të fundit në Kosovë, kanë shtrenjtuar shumë shportën mujore të qytetarëve, shkruan Syri.net Kosova.

Rritja e çmimit të bukës në shuma furra të Kosovës ka ngritur shumë diskutime e reagime nga gjithë qytetarët e vendit. Ndërkohë, në disa prej furrave çmimet nuk kanë pësuar rritje ende.

Syri net Kosova ka bërë disa vizita në disa furra të kryeqytetit, ku janë duke vazhduar të punojnë me çmime të njëjta, derisa disa të tjera kanë pësuar ngritje në të gjitha produktet e miellit me arsyetimin se është ngritur çmimi i miellit dhe vajit.

Ndërsa cilësia e bukës mbetet e pandryshuar dhe shpesh lë për të dëshiruar. Bukët i fryejnë pa e rritur cilësinë, e tash po i fryjnë edhe çmimet.

Ankohen konsumatorët

Një konsumatore e rregullt e një furre në Lagjen Dardania në Prishtine ka thënë për Syri.net Kosova se çmimi i bukës në këtë furrë nga 40 cent është rritur në 50 cent.

“Unë vazhdimisht furnizohna me bukë në këtë furrë ngase banoj këtu afër. Sot shkova me ble një bukë dhe i vendosa vetëm 40 cent për pagesë, mirëpo punëtorja më tha se nga tani e tutje çmimi është 50 cent”, u shpreh qytetarja.

Në një furrë tjetër, një bukë integrale nga 50 centë që ka qenë më herët, tash kushton 70 centë, pra një rritje 40 për qind.

Syri.net Kosova ka kontaktuar edhe me drejtorin ekzekutiv të ‘Shoqatës së Mullisëve të Kosovës’, Muhamet Farizi. Në një bisedë telefonike, Farizi thotë se rritja e çmimeve në furra po ndodh për shkak të ngritjes së çmimit të grurit të cilin e marrim nga Serbia.

Serbia e shtrenjtoi lëndën e parë

Sipas Farizit, Serbia e ka rritur çmimin e lëndës së parë për 50%.

Derisa, furrat të cilat nuk kanë rritur çmimet ende sipas tij janë të furnizuar me miell të çmimit të mëparshëm.

 “Kosova furnizohet nga Serbia me lëndën  e parë dmth me grurin. Serbia ka rritur çmimet për 50% dhe për këtë arsye edhe çmimet në disa furra kanë pësuar rritje. Disa furra janë të furnizuar mirë me miell dhe kanë një lloj kontrate ose diçka të tillë dhe për këtë arsye kanë miellin me çmim të mëparshëm dhe për këtë arsye nuk kanë pësuar rritje. Nuk është diçka shqetësuese, kemi rezerva të mjaftueshme”, tha Farizi.

Farizi njofton se këso rritje janë dukë pësuar edhe vendet e rajonit. Ai apelon tek qytetarët që të mos shkaktohet panik ngase janë të furnizuar mirë dhe nuk ka arsye për shqetësime.

“Unë jam duke përcjellur edhe çmimet në rajon, pra pothuajse gjithë vendet në botë kanë pësuar dukshëm rritje. Thjeshtë, nuk duhet të bëjmë panik sikur gjatë kohës së pandemisë. Edhe gjatë pandemisë, gjatë gjithë kohës pati panik gjë që nuk ka pasur nevojë, sepse kemi qenë të furnizuar mirë”, u shpreh Muhamet Farizi për syri.net Kosova.

Shtrenjtimi i papërballueshëm për xhepin kosovar

Tutje, analisti Imer Mushkolaj në një postim në Facebook ka ironizuar me popullin kosovar, ku sipas tij të gjithë janë duke u ankuar për çmimin e bukës ndërsa për atë të kafesë askush.

“Kafiqat plot. Kërkush s'po ankohet për shtrenjtimin e kafeve, krejt veç për shtrenjtimin e bukës. Popull interesant”, ka shkruar ai.

Kujtojmë që, gjatë vitit 2020, paga mesatare në Kosovë ka shënuar rënie. Në vitin 2020, paga mesatare bruto ishte 466 euro, derisa në vitin 2019 ishte 477 euro.

Paga mesatare bruto në sektorin privat, në vitin 2020, ishte 380 euro, derisa në vitin 2019 ishte 411 euro.

Udhëheqësi i Organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, thotë se 2.4 për qind rritje e çmimeve është e papërballueshme për xhepin e qytetarit, për shkak të pagave të ulëta.

“Nëse kësaj 2.4 për qind ia shtojmë edhe shpenzimet tjera që ndodhin këto ditë, pra nëse e marrim edhe ngritjen e çmimeve të banesave, kjo e fuqizon reagimin e konsumatorit, në veçanti konsumatorit të varfër. Pra, për këta të fundit kjo ngritje është e padurueshme”, thotë ai.

(Kosova Sot Online)