Dy komunat ku votat e diasporës mund ta përmbysin rezultatin

  • E.K /
  • 16 November 2021 - 11:30
Dy komunat ku votat e diasporës mund ta përmbysin rezultatin

Në dy komuna të vendit mund të ketë përmbysje të rezultatit pas numërimit të votave të diasporës. Bëhet fjalë për Dragashin dhe Junikun, ku rezultati është tepër i ngushtë.

Në Junik dallimi është vetëm 29 vota. Kandidati i LDK’së, Ruzhdi Shehu, ka 1 mijë e 199 vota, derisa ai i AAK’së, Agron Kuqi ka 1 mijë e 170 vota.

Këtë rezultat mund ta përmbysin 670 votat e mërgimtarëve.

Rezultati mund të ndryshojë edhe në Dragash me votat e 308 mërgimtarëve.

Dallimi mes vendit të parë dhe të dytë në këtë komunë është vetëm 47 vota.

Shaban Shabani i PDK’së ka 5 mijë e 648 vota, kurse Behgjet Xheladini i LDK’së ka 5 mijë e 601 vota.

Ndryshe, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve sot do të fillojë procesi i numërimit të votave të ardhura me postë.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka deklaruar për Express se këto vota iu takojnë 19 komunave.

Ai bëri të ditur se procesi i numërimit do të fillojë në orën 16:00.

“Sot, në orën 16:00 në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve do të fillojë numërimi i votave të ardhura me postë dhe që u takojnë 19 nga 21 komunat ku është mbajtur raundi i dytë”, ka deklaruar Elezi.

Elezi tha se janë 1 mijë e 571 pako të supozuara me fletëvotime.

“Shërbimi votues i KQZ-së ka bërë vlerësimin e 1,571 pakove të supozuara me fletëvotime të ardhura përmes postës. Nga procesi i vlerësimit, del se nga këto pako numri i zarfeve të individualizuara me fletëvotime është 2,658, prej të cilave janë aprovuar 2.379, ndërsa pasi nuk kanë plotësuar kriteret ligjore janë refuzuar 279 pako”, ka deklaruar Elezi.

(Kosova Sot Online)