Tragjedia në Bullgari, AFP: Aksidenti më i rëndë me autobus në Europë në një dekadë

  • E.K /
  • 23 November 2021 - 13:28
Tragjedia në Bullgari, AFP: Aksidenti më i rëndë me autobus në Europë në një dekadë

Përplasja e sotme e autobusit në Bullgari, ku humbën jetën të paktën 46 persona, është aksidenti më i rëndë me autobus në Evropë në një dekadë, raportoi AFP. Duke ju referuar detajeve tragjike të aksidentit, agjencia jep një pasqyrë të aksidenteve më të rënda të autobusëve në kontinent në 10 vitet e fundit.

2021: Aksident në Bullgari

46 persona, përfshirë 12 të mitur, humbën jetën kur një autobus që udhëtonte nga Stambolli për në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, mori flakë në Bullgari herët në mëngjes.

Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2019 në vendin me një popullsi prej 6.9 milionë banorësh, në aksidente trafiku kanë humbur jetën gjithsej 628 persona, ndërsa në vitin 2020 – 463 persona. 

Aksidentet rrugore janë shpesh për shkak të kushteve të këqija të rrugës, makinave të vjetruara dhe shpejtësisë.

Aksidenti i sotëm ka ndodhur në një pjesë të autostradës me pjerrësi dhe pa vija të qarta ndarëse, ku në të kaluarën kanë ndodhur shumë aksidente trafiku, thotë Diana Rusinova nga një OJQ për sigurinë rrugore, e cila është ankuar tek autoritetet bullgare për këtë pjesë të autostradës në e kaluara.

2019: Portugali dhe Rusi

Portugali: 29 turistë gjermanë u vranë kur autobusi i tyre doli nga rruga në ishullin malor të Madeira më 18 prill.

Rusi: Një autobus ra nga një urë në një lumë të ngrirë në Siberi më 1 dhjetor, duke vrarë 19 persona.

2018: Turqi dhe Bullgari

Turqi: 17 emigrantë të transportuar ilegalisht përmes Turqisë u vranë dhe 36 u plagosën kur autobusi i tyre mori flakë pasi u përplas me një shtyllë më 29 mars në lindje të vendit. Shumica e tyre ishin iranianë, afganë dhe pakistanezë.

Bullgari: Njëzet pelegrinë u vranë pasi autobusi i tyre u përmbys mes shiut të dendur në veri të Sofjes gjatë një udhëtimi në një manastir ortodoks në 25 gusht.

2017: Gjermani, Itali dhe Rusi

Gjermani: 18 turistë të rritur nga Saksonia u vranë kur autobusi i tyre turistik mori flakë pasi u përplas me një kamion në Bavari më 3 korrik.

Itali: 16 persona - kryesisht adoleshentë hungarezë që ktheheshin nga skijimi në Francë - vdiqën më 21 janar, kur autobusi i tyre mori flakë pas një aksidenti pranë qytetit verior të Veronës.

Rusi: 16 persona humbën jetën kur një tren u përplas me një autobus të prishur që transportonte kryesisht pasagjerë uzbekë në një kalim hekurudhor në lindje të Moskës më 6 tetor.

2015: Aksidenti më i rëndë në Francë në 30 vitet e fundit

Francë: Aksidenti rrugor më i rëndë në Francë në tre dekada, 43 persona humbën jetën kur një autobus që transportonte anëtarë të një klubi pensionistësh u përplas me një kamion dhe mori flakë pranë Puisegen në jugperëndim të vendit më 23 tetor.

2014: Shpërthimi i çisternës së karburantit

Turqi: Një cisternë e gazit të lëngshëm (LPG) u përmbys dhe shpërtheu në një autostradë në juglindje të vendit më 22 korrik, duke vrarë 26 persona që po udhëtonin pranë me dy autobusë, të cilët u përfshinë në flakë

21 persona të tjerë u vranë në Turqinë qendrore më 23 janar kur autobusi i tyre u përmbys në një rrugë të ngrirë gjatë natës.

2012: Vriten 22 fëmijë

Zvicër: 28 persona, duke përfshirë 22 fëmijë, vdiqën në një aksident në Sierra, në jug të Zvicrës, ndërsa po ktheheshin në Belgjikë nga një pushim me ski më 13 mars.

2011: Vriten studentë në Turqi

Turqi: 25 persona, kryesisht studentë, u vranë kur një kamion i ngarkuar me tulla u përplas me një autobus pranë Salat, një fshat në provincën juglindore të Dijarbakirit, më 21 dhjetor.

(Kosova Sot Online)