Sot fillon paraqitja e çështjes së mbrojtjes në rastin Gucati dhe Haradinaj

  • E.K /
  • 03 dhjetor 2021 - 09:35
Sot fillon paraqitja e çështjes së mbrojtjes në rastin Gucati dhe Haradinaj

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, sot pritet  të fillojë paraqitja e çështjes së mbrojtjes para trupit gjykues.

Kështu është bërë e ditur të enjten, përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të DhSK.

“Në përfundim të konferencës përgatitore të mbrojtjes në rastin Gucati dhe Haradinaj sot, trupi gjykues II nxori një sërë urdhrash gojore duke vendosur, ndër të tjera, se çështja e mbrojtjes do të fillojë nesër (3 dhjetor) me fjalën hyrëse të mbrojtjes së Gucatit”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, paraqitja e provave pritet të fillojë më 6 dhjetor.

Tutje, thuhet se mbrojtja e Haradinajt do të fillojë pas përfundimit të rastit të mbrojtjes së Gucatit.

“Paneli caktoi 17 janar 2022 si datë të synuar për mbylljen e rasteve të mbrojtjes dhe 1 mars 2022 për përfundimin e pjesës provuese të gjithë rastit”, thuhet në fund të njoftimit.

Gjykimi ndaj Gucatit dhe Haradinajt ka filluar në muajin tetor të këtij viti, ndërsa Zyra e Prokurorit të Specializuar  e ka mbyllur çështjen e saj në nëntor.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinajn, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

(Kosova Sot Online)