Po e priste SPAK-un? 3 akuzat mbi Lefter Kokën dhe lënia surprizë e mandatit

  • E.K /
  • 14 December 2021 - 13:18
Po e priste SPAK-un? 3 akuzat mbi Lefter Kokën dhe lënia surprizë e mandatit

Më 1 shtator 2021, Lefter Koka ish-ministri i Mjedisit do të jepte dorëheqjen nga mandati i deputetit me një reagim në rrjetet sociale, e ndërsa sot rreth 3 muaj pas këtij akti, Kokës i janë vënë prangat.

Lefter Koka është një nga emrat më të lakuar kur bëhej fjalë për akuzat e skandaleve të incineratorëve e pikërisht hetimet për incineratorët raportohet se kanë çuar pas hekurave. Ka qenë SPAK që ka kërkuar arrestimin e Kokës pasi ndaj tij rëndojnë akuzat për shpërdorim detyre, pastrim parash dhe korrupsion. Abc mëson se në pranga kanë rënë edhe disa persona të tjerë, megjithatë ende nuk bëhet e ditur identiteti dhe pozicioni i tyre.

Koka mori mandatin e deputetit si i zgjedhur i PS-së, në zgjedhjet e 25 prillit në Durrës. Në deklaratën e tij të dorëheqjes nga ky mandat, Koka theksonte se është gjithmonë e vështirë të ndalesh një moment dhe të vlerësosh se kur është koha e duhur për të mbyllur një cikël, por për të pikërisht 1 shtatori ishte mbyllja e ciklit politik ndërsa më 14 dhjetor iu vunë prangat.

Deklarata e Lefter Kokës:

2 dekada më parë me përgjegjësi të lartë publike, mora përsipër të garoja për të qenë zëri qytetarëve durrsakë.
Në këtë rrugëtim plot sfida, suksese e padiskutim dhe dështime, pata fatin të dëshmoj fuqinë e besimit, si dhe dinjitetin e njerëzve që punojnë çdo ditë me ndershmëri dhe përkushtim për një të ardhme më të mirë.
Në morinë e sfidave me të cilat ky rrugëtim të përball është gjithmonë e vështirë të ndalesh një moment dhe të vlerësosh se kur është koha e duhur për të mbyllur një cikël.
Sot është dita që rrugëtimin tim politik, ta vijojnë ata mijëra bashkëpunëtorë të mitë, që më bënë fitues për vite me rradhë dhe që mbase nuk kam mundur asnjëherë t’i falenderoj sa duhet. Sot, e ardhmja u përket atyre!
Me këtë vendim timin, është njohur institucionalisht si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ashtu edhe Kuvendi i Shqipërisë.
Së fundmi, mirënjohje të madhe për mundësinë , besimin dhe privilegjin e jashtëzakonshëm që më është dhënë t’i shërbej me përkushtim qytetit, vendit dhe njerëzve që dua!
Shqipëria është padyshim sot një vend më i mirë se dje, është vendi plot dritë shprese që na përket të gjithëve.

Lefter Koka u zgjodh ministër i Mjedisit në kabinetin e kryeministrit Edi Rama pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, si pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ai u largua nga funksioni pas një mandati të plotë në vitin 2017, si pasojë e prishjes së koalicionit PS-LSI.

Lefter Koka ka përfunduar studimet në Fakultetit e Shkencave Juridike në Strugë. Ai u përfshi në politikë në vitin 2000 si anëtar i Këshillit Bashkiak të Durrësit, pas angazhimit në sektorin privat. Në vitet 2003-2007, Lefter Koka ka shërbyer si kryetar i Bashkisë së Durrësit, ndërsa prej vitit 2009 është deputet i Kuvendit të Shqipërisë nën siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ndryshe nga shumica e deputetëve të opozitës, Lefter Koka nuk pranoi ta djegë mandatin e deputetit me opozitën.

(Kosova Sot Online)