Osmani: Serbia trampolinë e interesave ruse në rajon, pretendimet territoriale ndaj Kosovës s’po i fsheh

  • E.K /
  • 17 December 2021 - 11:27
Osmani: Serbia trampolinë e interesave ruse në rajon, pretendimet territoriale ndaj Kosovës s’po i fsheh

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se dialogun me Serbinë e sheh si një mjet të rëndësishëm për stabilitet dhe zhvillimin e rajonit.

Në adresimin e fundvitit para deputetëve, presidentja tha se Kosova do të luajë rol konstruktiv në këtë proces, duke dhënë propozime konkrete që mbrojnë interesat e vendit.

“E shoh dialogun me Serbinë si mjet të rëndësishëm për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit tonë. Kosova do të vazhdojë që të luajnë rol konstruktiv në këtë proces, duke ofruar propozime konkrete që mbrojnë interesat e vendit tonë, që kanë në qendër të vëmendjes qytetarët tanë si dhe kontribuojnë në paqe dhe në stabilitet afatgjatë në tërë rajonin”, deklaroi Osmani.

E kjo gatishmëri, sipas saj nuk është edhe nga ana e Serbisë. Ajo shprehu shqetësimin se qëllimet e Serbisë po mbesin të njëjta dhe se Serbia ka pretendime territoriale ndaj Kosovës të cilat nuk i fsheh as në retorikë e as në praktikë.

Osmani deklaroi se Serbia e ka për qëllim që të destabilizojë vendet e rajonit dhe Kosovën duke përdorur ide të shekullit të kaluar.

“Nuk e shohim këtë gatishmëri tek Serbia. Në fakt qëllimet e tyre mbesin të njëjta gjithherë sado që strategjitë ndryshojnë. Serbia ka pretendime të qarta territoriale ndaj Kosovës e këtë nuk e fsheh as në retorikë e as në veprime. Duke shërbyer si trampolinë e interesave ruse në rajon, Serbia e ka për qëllim që të destabilizojë shtetet e tjera të rajonit, përfshirë Kosovën duke përdorur logjikën e shekullit të kaluar. Prandaj rajoni ynë ka nevojë për intensifikim të vëmendjes evropiane dhe amerikane në mënyrë që të neutralizohet ndikimi i mëtejmë agresor ruso-serbë në Ballkan”, tha presidentja në Kuvend.

Sipas, saj dialogu mund të ketë sukses vetëm nëse nxjerrim mësime nga gabimet e së kaluarës në këtë proces. Mësime ajo tha se duhet të nxjerrin edhe ndërmjetësuesit e procesit.

“Dialogu nuk mund të ketë sukses nëse nuk nxjerrim mësime nga gabimet e së kaluarës. Nga gabimet e së kaluarës duhet të marrim mësime edhe ne por edhe miqtë tanë në BE që e lehtësojnë këtë proces. Dialogu nuk është dhe nuk do të lejojmë asnjëherë që të s’ëndërrohet në dialog për statusin, territorin, për funksionalitetin e brendshëm dhe për rendin kushtetues të vendit tonë” deklaroi ajo.

Osmani përjashtoi çdo marrëveshje me Serbinë që do të bëhej mbi ndarje të territorit në vija etnike. Ajo tha se këto janë ide të shekullit të kaluar që nuk kanë për qëllim integrimin.

“Idetë që kishin për synim ndarjen territoriale në vija etnike dhe aventurat e tjera të rrezikshme nuk do të përsëriten më në Kosovë. Statusi i Kosovës është vendosur njëherë e përgjithmonë, në përputhje me vullnetin e popullit të saj, me shpalljen e pavarësisë në 2008. E dyta idetë e shekullit të kaluar që e kanë për qëllim segregimin e jo integrimin, që kanë për qëllim ndarjen etinike e jo multietnicitetin nuk janë as në të mirën e Kosovës e as në të mirën e rajonit. Siç dëshmon historia idetë e tilla krijojnë konflikte të reja e do të krijonin jo funksionalitet, në vend që të kontribuonin në paqe”, ka thënë ajo.

Presidentja në Kuvend ka përmendur edhe situatën që është krijuar së fundmi në Bosnje dhe Hercegovinë.

Ajo tha se duhet refuzuar idetë e shekullit të kaluar, teksa tha se duhet të punojmë me ide të shekullit 21.

“Me tërë atë që po ndodhë së fundmi në Bonje dhe në Hercegovinë është e pakuptueshme se  si ende ka zëra që shtyjnë përpara ide që në Kosovë thjeshtë do ta krijonin krizën e re si në Bosnje e Hercegovinë ose kriza të ngjashme me ato të krijuara nga Rusia në Ukrainë e Moldavi. I ftojë të gjithë që të punojmë bashkërisht që të refuzojmë ide të shekullit të kaluar dhe të ecim përpara me ide të shekullit 21 që janë në frymën evropiane dhe që synojnë integrimin, harmoninë e bashkëjetesën”, deklaroi Osmani para deputetëve. 

(Kosova Sot Online)