“Basha prishi hetimin për ‘Toyota Yaris’”, Berisha: Nuk e refuzoj përballjen me SPAK për shpalljen “non grata”

  • E.K /
  • 18 December 2021 - 10:50
“Basha prishi hetimin për ‘Toyota Yaris’”, Berisha: Nuk e refuzoj përballjen me SPAK për shpalljen “non grata”

Jashtë dyerve të qendrës së votimit, të vendosur para ambasadës amerikane, ish-kryeministri Sali Berisha iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve për çështje të ndryshme të aktualitetit, lidhur me akuzat e tij ndaj Lulzim Bashës dhe SHBA.

Lidhur me akuzat për dosjen e “Toyota Yarsi”, Berisha tha se “Unë nuk kam mbajtur asnjë sekret. Sa i përket ‘toyota yaris’, në dijeninë time Prokuroria ka hapur një çështje, Lulzim Basha ka bërë deponimin. Unë Bashës i kam thënë që ti ke prishur hetimin. Unë di që ai është thirrur në hetim. Kam dëshmuar publikisht se cfarë i kam thënë atij. Drejtësia belge po e ndjek dhe kam beism se do t’i shkohet deri në fund”.

Pyetje-përgjigje:
A jeni i gatshëm të përballeni me SPAK pas shpalljes “non grata”?

S’kam refuzuar kurrë asnjë lloj hetimi dhe ftoj DASH, cdo qeveri, cdo individ, të paraqesë cdo fakt e dokument që ka kundër Sali Berishës. Ju siguroj se sikundër deri sot, edhe 100 vjet të tjera, do mbeten duarbosh.

Do ketë sërish përplasje në selinë e PD ditën e protestës?
Vendimi grumbullimit të demokratëve ditën e hënë do të jetë oborri i selisë së PD, oborri i selisë së tyre, jo për protestë aty, se aty është vendi për t’u nisur. Ftoj të gjithë demokratët të bashkohen dhe të protestojnë para Kryeministrisë. Ne do mblidhemi në selinë e PD dhe ne kemi thirrur protestën, ndërsa nuk di që Lulzim Brava të ketë thirrur protestë. Selia e PD nuk është shtëpia e Bashës, nuk është prona e tij, ajo është selia e demokratëve shqiptarë. Kështu nuk ka asnjë lloj dyshimi që janë të mirëpritur cdo demokrat. Mund t’iu them që ka një angazhim shumë të madh. Lulzim Brava në ora 5 pasdite merr verdiktin që meriton.

Betejë kundër SHBA?
Nuk jam unë që merrem me protokollin e diplomatëve në Tiranë, ata kanë protokollin e tyre. Kjo nuk është betejë kundër asnjë vendi të lirë, e aq më tepër kundër SHBA. Është betejë për lirinë, për votën e lirë në Shqipëri. Kështu, unë mendoj se betejë kundër lirisë dhe vendeve të lira bën Lulzim Brava, që deklaron se SHBA pranoi plaçkitjen e votës nga Edi Rama, për shkak të Sali Berishës. Betejën time personale unë e kam në Gjykatën e Parisit.

A do përballeni në gjykatë për statutet?
Statutën shkojnë në gjykata jo për t’u hedhur poshtë apo për t’u miratuar, shkojnë për t’u regjistruar. Gjykatësi i lexon nëse ato kanë nene që nuk përputhen me Kushtetutën e Shqipërisë. Patjetër që në këtë rast kanë të drejtë t’i refuzojnë gjykatat.

Akuzat se lëvizjet tuaja janë antiamerikane…
Ata që e cilësojnë antiamerikanë këtë, janë njerëz të verbër, se në fakt ky revolucion më shumë se cdo lëvizje tjetër pas ’90, po mbjell në këtë vend vlera të lirisë, që janë të konsoliduara në SHBA, më shumë se kudo. Ky është një revolucion demokratik në kuptimin e vërtetë të fjalës, që do i rikthejë shqiptarëve votën e lirë, revolucion që nuk ndalet më nga asgjë. Edi Rama, jo të ndërrojë xhaketën, por dhe lakuriq po të dalë, nuk mund të ndalojë kurrë vrullin e këtij revolucioni.

(Kosova Sot Online)