Për dy muaj mbi 15 mijë raste me grip sezonal në Kosovë

  • E.K /
  • 18 dhjetor 2021 - 16:30
Për dy muaj mbi 15 mijë raste me grip sezonal në Kosovë

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) më 17 dhjetor, nga 15,786 raste me grip, 2,498 janë cilësuar si infeksione respiratore akute dhe 69 me infeksion të rëndë respirator akut.

Gripi stinor është një infeksion akut viral, i cili përcillet direkt nga një person i sëmurë te tjetri përmes stërpikave gjatë kollitjes ose teshtitjes.

Sipas zyrtarëve të IKSHPK-së, gripi stinor nuk e ka arritur ende pragun epidemik, porse vërehet intensitet i shtuar i rasteve. Numri më i madh i personave të prekur u takon moshave 15 deri në 29 vjeç, pasuar nga fëmijët e moshës 5 deri në 14 vjeç.

Prishtina prin me numrin më të madh të rasteve, pastaj Fushë Kosova, Podujeva e Lipjani.

Florije Hyseni-Morina, mjeke familjare në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, thotë se numri i pacientëve me simptoma të gripit stinor, është rritur brenda një periudhe të shkurtër.

“Totali i numrit të pacientëve – i shprehur në përqindje – është rritur gjatë dy javëve të fundit për 50 për qind më shumë sesa në fazën kur nuk kemi pasur grip stinor”, thotë Hyseni-Mornia, duke shtuar se pacientët janë kryesisht të rinj.

Sipas saj, simptomat e gripit stinor janë: temperatura, rrjedhja e hundëve, dhembja e fytit, kollitja e të tjera.

Hyseni-Morina rekomandon që pacientët të ushqehen shëndetshëm, duke përdorur më shumë vitamina dhe duke bërë aktivitet fizik.

Ramadani: Vaksinimi kundër gripit stinor, i domosdoshëm

Infektologu Hamdi Ramadani thotë se ky grip mund të jetë edhe kërcënues për jetën, sidomos te personat me sëmundje kronike.

Ai thotë se këta persona duhet ta marrin vaksinën kundër gripit stinor.

Sipas IKSHPK-së, efekti i vaksinës fillon një deri në dy javë pas marrjes dhe mbrojtja vazhdon rreth një vit pas vaksinimit.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës thotë se janë siguruar sasi të mjaftueshme të vaksinave kundër gripit stinor dhe u bën thirrje qytetarëve, sidomos atyre në moshë dhe atyre me sëmundje kronike, që të vaksinohen.

IKSHPK-ja jep disa rekomandime për mbrojtjen nga ky grip, të cilat përfshijnë bartjen e maskës, ruajtjen e distancës me personat e tjerë, si dhe reduktimin e vizitave te familjarët e hospitalizuar nëpër spitale dhe klinika të ndryshme.

IKSHPK-ja po ashtu sugjeron që në rast të shenjave të gripit, të mos shkohet në punë, shkollë apo vende me shumë njerëz.

Infektologu Ramadani thotë se gripi stinor i ka simptomat pothuajse të njëjta me coronavirusin, që shkakton sëmundjen COVID-19.

“Janë paraqitur shumë raste në nivel vendi me grip sezonal. Kjo është e pritshme në muajt dhjetor, janar dhe shkurt. Një numër i caktuar i qytetarëve është dashur të marrin vaksinën kundër gripit, e cila është dashur të jepet në tetor e nëntor”, thotë Ramadani.

Edhe zyrtarët shëndetësorë të IKSHPK-së rekomandojnë vaksinimin kundër gripit stinor për të gjithë personat e moshuar, ata me sëmundje kronike dhe ata me imunitet të dobësuar

Vaksinimi kundër gripit stinor në Kosovë ka nisur që nga muaji tetor.

Ai u rekomandon pacientëve që të testohen për coronavirus, kur dyshojnë apo kanë simptoma.

Për dallim nga situata me gripin stinor, ajo me coronavirus është më e qetë në Kosovë.

Aktualisht janë pak mbi 300 raste aktive me coronavirus. /rel

(Kosova Sot Online)