Mosrespektimi i masave Anti-COVID, AUV për 10 muaj shqiptoi rreth 5 mijë gjoba

  • A.P /
  • 26 December 2021 - 11:03
Mosrespektimi i masave Anti-COVID, AUV për 10 muaj shqiptoi rreth 5 mijë gjoba

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), nga fillimi i pandemisë ka kryer numër të madh të kontrolleve për rastet e shkeljes së rregullave Anti-Covid.

Këtë e ka konfirmuar Lamir Thaçi, zëdhënës në këtë institucion. Madje sipas tij, ata kanë shqiptuar rreth 2 mijë e 800 gjoba për persona juridik dhe rreth 2 mijë e 200 gjoba për persona fizik.

“Nga fillimi i periudhës së pandemisë e deri më tani me qindra mijëra kontrolle që janë kryer në gjithë territorin e Kosovës dhe në të gjitha rastet kur ka pas shkelje të rregullave Anti-Covid, sipas vendimeve në fuqi të qeverisë gjithmonë inspektorati ka shqiptuar masa ndëshkimore për të parandaluar përsëritjen e shkeljes. Vetëm gjatë këtij viti që nga janari e deri në tetor janë shqiptuar rreth 2 mijë e 800 gjoba për persona juridik dhe janë shqiptuar rreth 2 mijë e 200 gjoba për persona fizik. Të gjitha këto janë të shqiptuar nga Inspektorati Sanitar i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. Puna e policisë dhe inspektoratit ka bërë që gjatë gjithë kohës ne ta kemi situatën nën kontroll dhe tani jemi vendi lider që prijmë me numër të pakët të rasteve pozitive me Covid-19, dhe kjo vjen krejt si pasojë e respektimit të masave nga vetë qytetarët në radhë të parë, por edhe në mbikëqyrje efektive që është duke u bë nga ne dhe Policia e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Ai ka bërë të ditur se kanë përgatitur planet për kontrolle gjatë festave të fundvitit.

Madje Thaçi ka shtuar se nuk do të kursejnë askënd që bënë shkelje të masave Anti-Covid.

“Në planet tona operative të kontrollit të hartuara bashkë me Policinë e Kosovës, ne bashkë koordinojmë aktivitetet dhe varësisht prej situatës që paraqitet në teren ne shtojmë frekuencën e kontrollit nëpër lokacione të cilat mendojmë se mund të jenë shkelës të masave dhe jemi mirë të përgatitur, kemi kapacitete të mjaftueshme, dhe i kemi përgatitur planet për kontrollet të cilat do të jenë në festat e fundvitit. Ne i’u bëjmë apel të gjithë qytetarëve që të respektojnë masat sipas vendimit në fuqi që është tani.

“Ne po ashtu kemi parapa që frekuenca e kontrollit do të rritet sidomos gjatë orëve të mbrëmjes, dhe nuk do të kursejmë askënd që bënë shkelje të masave Anti-Covid”, shtoi ai.

Thaçi ndër të tjera tregoi se deri në muajin shtator janë asgjësuar gjysmë milioni kilogram produkte të ndryshme.

Ai tha se vitin e ardhshëm parashihet të ketë shtim të numrit të kontrolleve për shkak se ka rritje të numrit të Inspektorëve.

(Kosova Sot Online)