Rusia nuk është aq e fuqishme sa Putini e tregon, frika më e madhe e tyre

  • A.P /
  • 28 December 2021 - 20:00
Rusia nuk është aq e fuqishme sa Putini e tregon, frika më e madhe e tyre

Kur Vladimir Putin e cilësoi shembjen e Bashkimit Sovjetik “katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit XX”, ai nuk po i bënte jehonë marksist-leninistit që gjallonte në shpirtin e tij.

Udhëheqësi rus nuk është i interesuar që të rindërtojë perandorinë e dikurshme sovjetike, e cila u shpërbë 30 vjet më parë.

Por ai dëshiron që të rikuperojë humbjet ruse të epokës së pas Luftës së Ftohtë, të zgjerojë sferën e ndikimit të vendit të tij, dhe të ndërtojë një zonë tampon rreth atdheut. Pikërisht kjo qasje shpjegon edhe agresionin rus në kufijtë e Ukrainës.

Ndërsa analistët perëndimorë mund të duan ta përshkruajnë këtë si një lëvizje të pamenduar, realiteti është se ky grumbullim i madh trupash në kufi me Ukrainën është produkt i frikës, dhe i kujtimeve të pushtimeve të dikurshme të territoreve ruse.

Të kuptuarit e kësaj ndjenje është çelësi për të kuptuar veprimet aktuale të Putin. Udhëheqësi rus është një politikan, nacionalizmi i të cilit është shfaqur në çdo lëvizje të politikës së jashtme gjatë gjithë kohës së tij në pushtet.

Gjatë Luftës së Kosovës në vitin 1999, mendohet se ai ishte një nga “skifterët” e politikës së jashtme që i kërkoi me sukses presidentit Jelcin të dërgonte një kolonë të blinduar në bazën ajrore të Prishtinës, përpara se të mbërrinin atje trupat e NATO-s.

Ai ishte një moment vendimtar, dhe sinjali që iu dërgua NATO-s ishte:“Deri këtu, dhe jo më tej!”. Por ai u injorua. Mendimi strategjik rus dominohet nga gjeografia dhe historia e tij. Rusia është pushtuar përgjatë historisë së saj nëpërmjet territoreve të saj të sheshta në perëndim nga Suedia, Polonia, Perandoria Lituaneze, francezët dhe gjermanët (2 herë).

Rusët nuk duan që të mbrohen përgjatë një kufiri të tillë mbi 1600 km të gjatë. Refleksi i tyre është të përpiqen të shtyjnë armikun deri në hendekun prej 480 km midis Detit Baltik dhe Karpateve dhe ta mbyllin atë. Për fatin e keq të rusëve ajo hapësirë ​​njihet më mirë me një emër tjetër:Poloni.

Po ashtu rusët duan të paktën, një qeveri pro-Moskës në Ukrainë, që të sigurohen që trupat e NATO-s të mos jenë në kufi me linja shumë të afërta të furnizimit. Prandaj kur Ukraina kthehu kokën nga Perëndimi, Putini nxiti rebelimin në rajonin e Donbasit (duke krijuar një zonë mini-tampon) dhe e aneksoi Gadishullin e Krimesë.

Edhe ndërhyrja ushtarake e Moskës në Gjeorgji në vitin 2008 lidhet me frikën se mos NATO përparon gjithnjë e më shumë drejt Lindjes. Ish-anëtarët e Paktit të Varshavës, Hungaria, Polonia, Bullgaria, Estonia, Letonia, Lituania, Rumania, Shqipëria, RDGJ (Gjermania Lindore) dhe Republika Çeke/Sllovakia, janë tani që të gjitha pjesë e aleancës.

Po ashtu, kjo është arsyeja pse Rusia mban 2000 trupa në republikën separatiste moldave të Transnistria. Edhe pjesa më e madhe e politikës ruse në Arktik, buron nga i njëjti impuls. Pajisjet bërthamore që janë gati për një kundërpërgjigje nga nëndetëset ruse, ndodhen të pozicionuara në Gadishullin Kola ngjitur me Finlandën. Putini e ka si prioritet që interesat ekonomike të Rusisë në Arktik të mbrohen nga ushtria ruse.

Atje janë zbuluar rezerva të mëdha të pashfrytëzuara të naftës dhe gazit, madje disa prej tyre në ujëra me pretendime të mbivendosura nga shtete të ndryshme. Moska shpalli pretendimet e saj mbi pjesën më të madhe të Arktikut që në vitin 2007 kur vendosi një flamur rus në shtratin e detit në Polin e Veriut.

Ndërkohë, Rusia pret që të shtojë ndjeshëm rezervat e saj të peshkut në oqeane, pasi ujërat e ngrohta po i shtyjnë peshqit të migrojnë drejt veriut. Moska po përpiqet që të përfitojë nga shkrirja e akullit për shkak të ndryshimeve të klimës, duke e përdorur rrugën e Detit të Veriut përgjatë vijës së saj bregdetare, si një korridor kryesor tregtar midis Evropës dhe Azisë duke filluar që nga viti 2035.

Megjithatë ky është një proces i ngadaltë, dhe volumi i trafikut detar në atë zonë është shumë më i vogël sesa priste Rusia këtë vit. Megjithatë, tregtia pritet të rritet dhe nëse do të ndodhë kjo gjë, Rusia mund të përfitojë nga tarifat e portit dhe tranzitit, dhe të ndërtojë një treg më të madh në Azi për naftën dhe gazin e saj.

Për t’i mbrojtur këto interesa, Putin ka rihapur disa baza ushtarake në Arktik, të cilat ishin mbyllur dhe lënë pas dore pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Gjithashtu, ai ka investuar mbi baza të reja radarësh dhe dronësh.

Diku tjetër Moska është angazhuar duke u shkaktuar dëme rivalëve, dhe duke shtuar patrullimet me anije, nëndetëse dhe avionë. Synimi i saj është të testojë kohën e reagimit të NATO-s. Në këtë kuadër, ajo ka kryer stërvitje të përbashkëta detare vetëm 100 milje larg brigjeve ruse.

Nga ana tjetër, aleanca perëndimore ka trajnuar trupat e veta me kushtet e motit të ftohtë në Norvegjinë Veriore. Secila nga palët e sheh tjetrën si kërcënim; dhe kështu ndodh në Arktik, Baltik, Detin e Zi dhe në Evropën Lindore. Rusia nuk ka shumë miq.

Marrëdhënia midis presidentit të Turqisë Erdogan dhe Putinit nuk është “vëllazëzore”, por më shumë i ngjan një raporti midis 2 armiqve që sillen për momentin mirë ndaj njëri-tjetrit për qëllime pragmatike. Ndërkohë iranianët kanë më shumë kujtime.

Rusia e aneksoi territorin që kontrollonte dhe më pas nën maskën e sovjetikëve, pushtoi vetë Iranin. Moska është përpjekur të bëhet fuqia dominuese në Republikat e Azisë Qendrore, por edhe këtu ajo ka kujtime të pushtimeve faktike.

Dëbimet e mëdha të imponuara të popujve, kryesisht në Azinë Qendrore, i ndërlikojnë shumë raportet me këto vende. Sa i përket Kinës, Pekini po garon me sukses për ndikim në rajon, duke bllokuar kësisoj përpjekjet e Moskës për të rikuperuar humbjet që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Megjithatë, vatra kryesore e nxehtë është Evropa Lindore. Rusia e sheh si një çështje ekzistenciale cenimin e kufijve të saj. Dhe ky qëndrim nuk do të ndryshojë në të ardhmen.

Në rastin e ripërtëritjes së një konflikti të madh në Ukrainë, Rusia do të synojë ndoshta ta zgjerojë zonën tampon, duke e lidhur Donbasin me Krimenë, dhe duke e shkëputur Ukrainën nga Deti Azov.

Nëse Bjellorusia do ta ndiqte Ukrainën duke dalë jashtë orbitës ruse, ka të ngjarë që trupat ruse të kalonin kufirin dhe të përfundonin deri në kufirin polak. Asnjë nga skenarët nuk mund të realizohet. Por nëse kjo ndodh, shkaku kryesor nuk do të ishte një agresioni rus i pamenduar mirë, por frika e vjetër e Rusisë. NATO nuk përbën një kërcënim. Por në mendjen e rusëve, shekujt e historisë së dhunshme nuk do të fshihen vetëm pas disa dekadave pa luftë. 

(Kosova Sot Online)