ATK inkason mbi 591 milionë euro tatime për vitin 2021

  • A.P /
  • 29 December 2021 - 16:19
ATK inkason mbi 591 milionë euro tatime për vitin 2021

Drejtori i ATK-së Ilir Murtezaj njoftoi se janë inkasuar 591.4 milion euro tatime, të cilat kanë tejkaluar projeksionin për këtë vit për 34.5 milion euro, i cili në fakt ishte 556 milion euro.

“Në këtë konferencë për media, pjesës e të cilës ishte edhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Heuran Murati, Murtezaj tha se inpute mjaft të rëndësishme në realizimin e objektivave kyçe të institucionit,  janë reformat që janë në fusha të caktuar me interes për tatimpaguesit, siç është reforma në trajtimin e borxheve, rimbursimin e TVSh-së, ku mesatarja e kthimit rimbursimit deri në nëntor të këtij viti është ulur në 13 ditë nga 30 ditë, për sa edhe është bërë reforma në këtë aspekt. Veç këtyre, mediat u njoftuan se janë inkasuar 130.9 milion euro borxhe, si rezultat i trendit pozitiv të punës që është duke bërë departamenti përkatës”, thuhet në komunikatë për media të ATK-së. 

“Po ashtu, u përmend fakti se nga kontrollet e bëra tek bizneset janë vlerësuar 64.1 milion euro tatim shtesë, si dhe 2.2 milion euro nga rastet e konstatuara për shmangie tatimore. Këtë vit platforma e deklarimit elektronik ka arritur 100% të shërbimeve digjitale ndaj tatimpaguesve, ku tatimpaguesit tani të gjitha shërbimet i kanë në dispozicion në platformën e-deklarimi, pa pasur nevojë që të frekuentojnë zyrat e ATK-së”, thuhet tutje.

Murtezaj sot lansoi edhe aplikacionin elektronik për verifikimin e punëtoreve, i cili ka për qëllim ofrimin e mundësisë së shpejt dhe të thjeshtë, me pak të dhëna, për ta verifikuar vetën një punëtor nëse është i deklaruar nga punëdhënësi i tij.

Ministri Murati tha se pavarsisht sfidave që ka pasur si rezultat i pandemisë, ky vit do ta karakterizoj ATK-në si shumë të suksesshme, pasi që ka arritur që të tejkalojë planet e parapara nga Qeveria, si në planin fillestar po ashtu edhe në planin e rishikuar. Gjithashtu, ministri Murati u zotua se do të vazhdoj përkrahjen ndaj ATK-së me qëllim të zhvillimit të kapaciteteve institucionale, si dhe arritjes së objektivave.

Në fund të kësaj konference drejtori Murtezaj, falënderoj Ministrin Murati për mbështetjen e ofruar në vazhdimësi për institucionin e ATK-së, si dhe falënderojë mediat për raportimin e bërë gjatë tërë vitit.

(Kosova Sot Online)