Cila është pasaporta më e fuqishme në botë dhe ku radhitet ajo e Kosovës?

  • E.K /
  • 12 January 2022 - 14:58
Cila është pasaporta më e fuqishme në botë dhe ku radhitet ajo e Kosovës?

Është publikuar Indeksi Global i Pasaportave me renditjen e të gjitha shteteve. Indeksi për vitin 2022, tregon fuqinë e pasaportave të shteteve, duke marrë parasysh faktin se në sa vende mund të shkosh, falë pasaportës që posedon.

Në indeksin për vitin 2022, Emiratet e Bashkuara Arabe del se e kanë pasaportën më të fuqishme. Ta kesh këtë pasaportë, do të thotë se mund të udhëtosh pa vizë në shumicën e shteteve, dhe janë shumë pak shtete në të cilat të kërkohet vizë për të udhëtuar.

Pas Emirateve të Bashkuara Arabe renditen pasaportat e Suedisë, Finlandës e Italisë, të cilat janë në rangun e dytë.

Në këtë indeks, pasaporta e Kosovës renditet në vendin e 79 për nga fuqia. Kosovarët mund të udhëtojnë pa viza vetëm në 14 shtete, ndërsa për të shkuar në 149 shtete të tjera kërkohet patjetër viza.

Më poshtë se Kosova renditen 22 shtete të tjera, kryesisht nga Afrika, por edhe vendet aziatike si Afganistani, Pakistani, Palestina e Siria.

Në rangun e tretë të renditjes sipas fuqisë janë pasaportat e Gjermanisë, Holandës, Danimarkës, Austrisë, Luksemburgut, Francës, Spanjës, Zvicrës, Koresë së Jugut e ajo e Zelandës së Re.

Pasaporta e Amerikës, shtetit më të fuqishëm në botë, renditet në rangun e 6-të për nga fuqia.

Për ta parë renditjen e plotë të pasaportave më të fuqishme në botë për vitin 2022, klikoni KËTU.

(Kosova Sot Online)