Murati: Hera e parë që në Kuvend një parti voton kundër një marrëveshje ndërkombëtare

  • G.G /
  • 21 January 2022 - 14:00
Murati: Hera e parë që në Kuvend një parti voton kundër një marrëveshje ndërkombëtare

Ministri i Financave, Hekuran Murati është deklaruar edhe njëherë pas dështimit për tu miratuar në Kuvendin e Kosovës marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Botërore për reformën e sistemit të ndihmës sociale.

Ai tha se është hera e parë ku një parti politike voton kundër një marrëveshje ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës.

“Kjo marrëveshje u rrëzua për shkak se një grup parlamentar, më saktësisht LDK-ja votoi kundër. Në të kaluarën ka pasur shumë raste kur marrëveshjet ndërkombëtare, grupet parlamentare s’kanë marrë pjesë fare në votim, për të mos e mundësuar formimin e kuorumit, dhe që marrëveshja është shty për seancën e radhës. Nuk ka ndodhur asnjëherë që me vota kundër një marrëveshje ndërkombëtare të rrëzohet sikurse sot”, ka  thënë ai.

Lidhur me mosarsyet e votimit të kësaj marrëveshje, Murati tha se nuk qëndron tek mungesa e informacionit

“Nuk mendoj që problemi qëndron tek ajo se s’ishte informacione apo sqarime të mjaftueshme. Thanë madje se është hera e parë që po merret kredi për të financuar programe të tilla. Tregova kur edhe më parë janë marrë projekte të tilla. U tha që ne gjoja i paskemi kundërshtuar marrëveshjet e tilla dhe se kemi vepruar ngjashëm. U tha se nuk ka ndodhur asnjëherë që të hyhet në marrëveshje të tilla për të financuar skemat sociale. Që të dyja janë të pavërteta”, tha ai.

Më tutje Murati tha se arsyetimi i LDK-së për të mos e votuar këtë marrëveshje ishte se ata nuk e panë të nevojshme mbështetjen e marrëveshjes për të financuar reformën e skemës së asistencës sociale.

“Arsyetimi i tyre ishte që sipas vlerësimit të tyre nuk ja vlen të mbështet një marrëveshje e tillë, për shkak se po hyhet në kredi për të financuar reformën e skemës së asistencës sociale. Kjo besoj duhet t’u lihet edhe qytetarëve që të vlerësohet”, tha ai.

Murati ka konfirmuar se ka caktuar një takim virtual me zyrtarët e Bankës Botërore pasi kjo marrëveshje dështoi që të miratohet në Kuvend.

“Ky nuk është sinjal i mirë në raport me bashkëpunëtorët tanë ndërkombëtare e veçanërisht me Bankën Botërore. Unë kam caktuar sot një takim virtual në orën 16:00, me drejtorin e zyrës së Bankës Botërore për rajonin për të parë nëse mundemi që ta ripërsërisim apo si mund të vazhdojmë tutje për shkak se bëhet fjalë edhe për afate kohore që duhet t’i respektojmë”, tha ai.

(Kosova Sot Online)