Flet kryetari i Bashkisë së Kukësit: Do t’i dërgojmë shkresë Qeverisë së Kosovës të mos i ndalojnë qytetarët në kufi

  • A.P /
  • 24 January 2022 - 17:28
Flet kryetari i Bashkisë së Kukësit: Do t’i dërgojmë shkresë Qeverisë së Kosovës të mos i ndalojnë qytetarët në kufi

Safet Gjici, kryetar i Bashkisë së Kukësit, vendimin e Qeverisë së Kosovës për të hyrë në Kosovë me tri doza të vaksinës e ka quajtur mbyllje të menjëhershme dhe të papritur. Ai tha se qytetarët e Kukësit e kanë organizuar vetë protestën, teksa ka paralajmëruar dërgimin e një shkrese në Qeverinë e Kosovës që t’u lejohet hyrja qytetarëve që kanë dy doza të vaksinës.

“Ne e quajmë të rregullt bërjen e dy vaksinave, vaksina e tretë bëhet pas 6 muajsh pasi bëhet e dyta, kështu që ndihmën e Kosovës që duhet të kenë 3 vaksina të bëra, kanë irituar gjithë qytetarët kuksianë por jo vetëm sepse gjithë qarku i Kukësit ka një komunikim apo biznese dhe qytetarë të shumë të Kukësit që punojnë në Prizren sidomos dhe prandaj janë mbledhur për të kërkuar. E dimë që pandemia është prezente në Shqipëri e Kosovë, shëndeti është i rëndësishëm, por pas dy vaksinave, vaksina e tretë nuk është e dyetyrushme ose duhet bërë pas 6 mujash”, tha Gjici/

Ai tha se ka shumë qytetarë nga Kukësi që punojnë në Prizren dhe komuna të tjera të Kosovës.

“Qytetarët si kanë lejuar të kalojnë në pjesën e Prizrenit ose Kosovës. Janë qindra qytetarë e mijëra kuksianë që lëvizin çdo ditë në Prizren apo komuna tjera. Qytetarët kuksianë kanë bagëti atje e bletë, kanë shumë punë që janë të lidhura me pjesët të Prizrenit apo komuna të tjera. Nuk e kuptojnë pse ky vendim i papritur. Shumë qytetarë i kanë pas dy vaksina të bëra dhe PCR-në dhe nuk janë lejuar të kalojnë”, tha ai më tej.

“Do ti dërgojmë shkresë qeverisë së Kosovës që të mos ndalohen qyetatarët që kanë dy vaksina. Shkaktojnë dëme të mëdha, sepse kanë edhe shumë bizneset e tyre”, u shpreh ai.

(Kosova Sot Online)