Kurti komenton deklaratën e tij kur premtonte ulje të çmimit të rrymës: S’jemi në vitin 2024

  • A.P /
  • 24 January 2022 - 17:35
Kurti komenton deklaratën e tij kur premtonte ulje të çmimit të rrymës: S’jemi në vitin 2024

Kryeministri Albin Kurti e ka komentuar deklaratën e vetë të shkurtit të vitit 2019, kur para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare kishte thënë se me të në Qeveri do të ulej çmimi i rrymës.

Kurti deklaroi se ka thënë se synojnë uljen e çmimit dhe tha se “me siguri që ne e synojmë”. Por pak orë më herët, Kurti tha se çmimi i rrymës ka qenë aq e lirë, sa që shumë qytetarë nuk e kanë ditur se sa paguajnë.

“Pati një referencë tek një deklaratë e imja në fushatën zgjedhore, jo në këto zgjedhjet e fundit të 14 shkurtit të vitit 2021, por në fushatën për zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Në atë fushatë është e vërtetë që unë kam thënë e synojmë uljen e çmimit. Edhe me siguri që ne e synojmë uljen e çmimit”. tha ai.

“Mirëpo duhet ta kemi parasysh, në një fushatë zgjedhore unë nuk jap as zotime dhe as premtime për vitin e parë, por për katër vjet”, shtoi Kurti.

Sipas kryeministrit, kritikat drejtuar Qeverisë po bëhen “sikur të ishim në vitin 2024”.

“Është interesant që një numër i madh i kritikave që i bëhet Qeverisë sonë, i bëhet sikur të ishim në vitin 2024. Është vetëm viti 2021”, tha ai.

Kurti tutje foli për opozitën, duke thënë se LDK-së, PDK-së e AAK-së mund t’u jenë dukur shumë 10 muaj në opozitë.

“Ka mundësi që këta dhjetë muaj u janë dukur shumë të gjatë në opozitë. Ama viti është vetëm 2022, nuk është 2024. Pra, nuk jemi në përmbyllje të mandatit, jemi në fillim të mandatit. Ende nuk është bërë asnjë vit i mandatit tonë dhe ju kërkoni prej nesh që ne t’i realizojmë premtimet tona 4-vjeçare, dhe atë jo të kësaj fushate të fundit, por të asaj para kësaj”, tha ai.

“Kundërshtarët tanë i kanë pritjet prej neve më të mëdhaja sesa votuesit tanë. Votuesit tanë po kërkojnë që ne t’i realizojmë pritjet për 4 vjet, ju për 10 muaj”, deklaroi kryeministri.

(Kosova Sot Online)