Kadrijaj: Albini kur ka qenë opozitar kishte zgjidhje për gjithçka

  • A.P /
  • 24 January 2022 - 18:01
Kadrijaj: Albini kur ka qenë opozitar kishte zgjidhje për gjithçka

Deputetja e AAK’së, Time Kadrijaj ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, i cili sipas saj, sa ka qenë në opozitë ka pasur zgjidhje për gjithçka, por që në momentin që është ulur në karrigen e kryeministrit, nuk ka zgjidhje për asgjë.

Kadrijaj  ka thënë se Kurti sa ka qenë në opozitë ka kritikuar çmimet e energjisë elektrike, ndërsa tani sipas saj, ai nuk ka zgjidhje për rritjen e çmimeve.

“Ne kemi qenë vendi që e kemi pasur çmimin e energjisë më të ultin. Albini në periudhën kur ka qenë opozitar ka pas zgjidhje për gjithcka, në momentin që është ulur në karrigen e kryeministrit dhe po udhëheq Qeverinë e Kosovës po më vjen keq po ai nuk po ka zgjidhje për asgjë”, ka theksuar ajo.

Kadrijaj tutje ka thënë se Kurti ka marrë mbështetjen popullore me premtimet që ka bërë, përfshirë edhe për ulje të çmimeve.

Megjithatë, ajo është shprehur se është hera e parë që nga pavarësia e Kosovës që kur vendi po përballet me reduktime të tilla të energjisë.

Sipas saj, bashkëatdhetarët që kanë ardhur në Kosovë për pushime gjatë muajit dhjetor, është dashur të kthehen pas për shkak të reduktimeve të gjata.

“Ai duhet t’i gjejë alternativat. Duhet me gjetë zgjidhje, nuk është se është hera e parë që Kosova po ka probleme me energjinë elektrike. Është hera e parë prej pavarsisë së Kosovës që jemi përballë me reduktime të tilla të energjisë elektrike”, ka shtuar ajo.


(Kosova Sot Online)