Kamerat nga lista e zezë e SHBA-së mbikëqyrin Qeverinë e Kosovës

  • A.P /
  • 24 January 2022 - 21:04
Kamerat nga lista e zezë e SHBA-së mbikëqyrin Qeverinë e Kosovës

Qeveria e Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit mbikëqyren nga kamerat e sigurisë, të cilat janë në atë që njihet si lista e zezë e Shteteve të Bashkuara.

Bëhet fjalë për kamerat e kompanive kineze Dahua dhe HikVision. Këto kamera, sipas fotografive që i ka siguruar rel

 në janar të vitit 2022, janë të vendosura edhe në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, si dhe në Ministrinë e Shëndetësisë.

Sheshet kryesore të Prishtinës – “Skënderbeu”, “Nëna Terezë” dhe “Zahir Pajaziti” – mbikëqyren po ashtu nga kamerat që prodhon kompania HikVision.

Radio Evropa e Lirë ka arritur të shohë se kamera të sigurisë të llojit Dahua janë të vendosura edhe në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.

Sipas Departamentit amerikan të Tregtisë, Dahua Technology dhe HikVision gjenden në listën e zezë të SHBA-së qysh nga vitin 2019, për shkak të, siç thuhet, ndërlidhjes së tyre me shkeljet e të drejtave të njeriut në Kinë, përkatësisht me represionin që u bën Pekini ujgurëve myslimanë në provincën Ksinjiang.

Në qershor të vitit 2021, administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, e ka zgjeruar urdhrin e ndalimit për këto kompani, duke i stopuar investimet amerikane në to.

Kamerat e këtyre kompanive duket se qarkullojnë lirshëm në tregun kosovar dhe se përdoren nga institucionet publike.

Në dhjetor të vitit 2021, Radio Evropa e Lirë ka raportuar se Serbia, përmes institucioneve që i ka në Kosovë, ka blerë sistemin e video-mbikëqyrjes së kompanisë kineze Dahua, të dedikuar për shkollat në 12 komuna të Kosovës.

Siç shihet nga dokumentacioni, këto kamera kanë edhe opsionin e njohjes së fytyrës.

Qeveria hesht lidhur me kamerat e dyshimta

Objekti i Qeverisë së Kosovës gjendet në qendër të Prishtinës dhe përskaj shesheve kryesore të kryeqytetit.

Disa kamera të vendosura jashtë objektit janë të drejtuara në oborr të tij, ndërsa kamera të tjera mbikëqyrin sheshin Nënë Tereza, ku qytetarët kalojnë lirshëm.

Në kamera shkruajnë qartazi emrat e brendeve HikVision dhe Dahua.

Kamera e prodhuar nga kompania Dahua mbikëqyr objektin e Qeverisë së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë ka dërguar kërkesa për qasje në informacione publike, në lidhje me llojet e kamerave të vendosura në objektet e institucioneve qendrore.

Qeveria e Kosovës nuk u është përgjigjur pyetjeve të REL-it lidhur me këtë çështje, e ngjashëm as Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

Ministria e Mbrojtjes ka refuzuar kërkesën e REL-it për qasje në informacione në lidhje me llojin e kamerave të instaluara, si dhe në kontratën për këto kamera.

Në përgjigjen e kësaj ministrie thuhet se “ky dokument hyn në kategorinë e të dhënave të klasifikuara”.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike ka nën administrim objektin ku gjenden disa ministri të Kosovës dhe ajo nuk ka kthyer përgjigje në lidhje me llojin e kamerave të instaluara në këtë objekt, që njihet si ish-Rilindja.

Ministria e Shëndetësisë nuk është përgjigjur, ndërsa Ministria e Kulturës ka thënë se kamerat e instaluara në këtë institucion nuk janë aktive qysh në vitin 2014.

Image

Objekti i Ministrisë së Shëndetësisë që mbikëqyret nga kamerat e kompanisë HikVision.

Nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kanë konfirmuar se lloji i kamerave të sigurisë në këtë objekt është HikVision.

Sipas kësaj ministrie, “blerja e kamerave është realizuar në fund të vitit 2020, kur edhe janë instaluar”.

Objekti i Ministrisë së Tregtisë i mbikëqyrur nga kamerat e prodhuara nga kompania HikVision.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka thënë se nuk ka kontratë të lidhur me asnjë operator ekonomik për blerjen e kamerave të sigurisë.

“Objekti, në të cilin është i vendosur stafi i MBPZhR-së, është hapësirë e kontraktuar me qira që nga viti 2019 dhe kamerat e sigurisë kanë qenë të vendosura në këto hapësira nga kompania [që është pronare e këtij objekti] para se të zhvendosej MBPZhR-ja”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Nga Kuvendi i Kosovës, në ndërtesën e të cilit ndodhet edhe Presidenca e Kosovës, kanë thënë se kamerat e instaluara atje janë të brendit gjerman, Bosch.

Nga Komuna e Prishtinës, ndërkaq, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se për instalimin e kamerave në sheshet e qytetit, procedura tenderuese është zhvilluar në vitin 2019 dhe se kontrata është nënshkruar në vitin 2020.

Fituese e kësaj kontrate ka qenë kompania e sistemeve të sigurisë, Professional Alarm, me seli në Prishtinë.

Komuna nuk e ka komentuar faktin se kamerat janë të markës HikVision dhe ka thënë se qeverisja e re e komunës e ka trashëguar kontratën që është duke u zbatuar.

“Komuna, sipas ligjit, përgatit specifikat teknike për procedurat tenderuese, ku nuk lejohet caktimi i prodhuesve të produkteve. Pra, Komuna e Prishtinës, respektivisht qeverisja e re e saj, e ka trashëguar këtë kontratë, e cila është duke u zbatuar”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Njoftimi për nënshkrimin e kontratës për blerjen e këtyre kamerave në mes të Komunës së Prishtinës dhe kompanisë Professional Alarm është publikuar më 13 maj, 2020.

(Kosova Sot Online)