Në Kosovë u bullizua, por ja si u komentua profesori amerikan që u bë viral në “TikTok” duke kërcyer

  • E.K /
  • 31 January 2022 - 14:26
Në Kosovë u bullizua, por ja si u komentua profesori amerikan që u bë viral në “TikTok” duke kërcyer

Një profesor nga Vushtrria ka qenë së fundmi në qendër të vëmendjes në mediat vendore, pasi që u bë viral me videot e tij në rrjetin social “TikTok” ku kërcente valle tradicionale.

Ai është kritikuar edhe nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fjolla Ujkani, e cila i gjykoi si të pahijshme dhe degjeneruese veprimet e profesorit në fjalë.

Në anën tjetër, sot vetë profesori ka rrëfyer për pasionin e tij të kërcimit, duke thënë se nga gjykimet dhe komentet negative i ka thënë edhe vëllaut të tij që ta mohojë se e ka vëlla.

“I kam thënë vëllaut nëse të pyesin thuaju që më ke kushëri, jo vëlla”, ka thënë profesori teksa është përlotur duke folur se si është ndjerë nga komentet.

Por, përderisa në Kosovë një veprim i tillë i një profesori u kritikua dhe u gjykua jashtë mase, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka ndodhur krejtë e kundërta.

Një profesor i një shkolle në Fersno të Kalifornisë, u bë viral pasi që një video ku ai shihej duke kërcyer me nxënës u postua në rrjetin social “TikTok”.

Ndryshe nga Kosova, videoja e profesorit duke kërcyer në SHBA u prit shumë më mirë dhe me komente pozitive edhe nga vetë nxënësit.

Nga shkolla ku profesori në fjalë punon, kanë thënë se ata veçse kanë rritur lidhjen mes mësimdhënësve dhe nxënësve në këtë shkollë dhe se kjo është një gjë pozitive.

Para mediave, nga kjo shkollë kanë thënë se është shumë e rëndësishme që nxënësit dhe mësimdhënësit të zbaviten në forma të ndryshme. 

(Kosova Sot Online)