Mbretëresha u takua me Princin Charles dy ditë para se ai të dilte pozitiv për COVID-19

  • E.K /
  • 11 February 2022 - 13:25
Mbretëresha u takua me Princin Charles dy ditë para se ai të dilte pozitiv për COVID-19

Mbretëresha e Anglisë, Elisabeth II do të testohet për Covid-19, pasi është takuar me djalin e saj, Princin Charles, dy ditë para se ai të dilte pozitiv. Lajmi i takimit të tyre ka shqetësuar të gjithë opinionin publik në Mbretërinë e Bashkuar.

Nga pallati mbretëror nuk ka ende asnjë njoftim zyrtar për gjendjen shëndetësore të 95-vjeçares, as për rezultatet e testimeve të mundshme që mund të ketë kryer. Megjithatë, media të ndryshme britanike raportojnë përmes burimeve nga brenda pallatit, se Mbretëresha nuk ka shfaqur simptoma deri tani.

Por mjekët mbretërorë do të monitorojnë më shpesh monarken në Kështjellën “Windsor”. Me sa është raportuar, Mbretëresha ka kryer tre vaksina, kështu që nuk do të vetizolohet nëse testet dalin negative, sipas rregullave në fuqi. Ajo e ka marrë dozën e parë në janar 2021 dhe të dytën në mars, ndërsa besohet se dozën e tretë e ka marrë në tetor të vitit të kaluar.

Kjo është hera e dytë që Princi Charles del pozitiv me Covid-19. Herën e parë ai u infektua me koronavirus në mars 2020, dhe ashtu si mamaja e tij, edhe ai ka marrë tre doza vaksine.

Mediat britanike raportojnë se 73-vjeçari zbuloi se ishte pozitiv gjatë një testi rutinë para se të ndërmerrte një angazhim publik, dhe nuk ka simptoma të rënduara. Ai dhe bashkëshortja, Camilla, kryejnë rregullisht testime. Të enjten, ajo rezultoi se ishte negative. Sipas rregullave në fuqi, edhe pse ajo jeton me Princin, nuk është e detyruar të vetizolohet, për shkak se ka kryer tre doza vaksine.

Deri tani, nga familja mbretërore kanë rezultuar pozitiv, të paktën zyrtarisht Princi Charles, Princi William, dhe Sir Timothy Laurence, bashkëshorti i Princeshës Anne, motrës së Mbretëreshës./A2CNN

(Kosova Sot Online)