“Mik i Rugovës e këshilltar i ministrit të Kulturës”, çfarë kishte rrëfyer i arrestuari nga Europol, Bashkim Osmani, për mediumin kroat më 2007

  • E.K /
  • 18 February 2022 - 12:36
“Mik i Rugovës e këshilltar i ministrit të Kulturës”, çfarë kishte rrëfyer i arrestuari nga Europol, Bashkim Osmani, për mediumin kroat më 2007

Mediat spanjolle, italiane e gjermane po shkruajnë për arrestimin e biznesmenit kosovar, Bashkim Osmani, i cili dyshohet se drejtonte në rrjet të madh madhe droge, që destinacion kishte Evropën nga Amerika e Jugut.

Bashkë me Bashkimin, autoritetet ndërkombëtare kanë kapur edhe Qazimin, Burimin dhe Bekimin, të njohur menofkën si “Felix”.

Në shumë vende të ndryshme në Spanjë, Gjermani e Itali janë sekuestruar vila e shtëpi luksoze, meqë vëllezërit Osmani kishin qenë një ndër familjet më të pasura në Gjermani.

Por çfarë kishte thënë Bashkim Osmani në një intervistë në vitin 2007 kur kishte folur për gazetën kroate “Nacional”.

Në vitin 2007 gazeta kroate “Nacional”, kishte intervistuar Bashkim Osmanin pasi që ky i fundit kishte shkuar atje për të investuar pasurinë e tij në qytetin e Istrias. Atë kohë Bashkimi kishte qenë 41 vjeç dhe kishte pranuar të fliste për mediumin kroat për të treguar se kush ishte.

Siç shkruante Nacional në vitin 2007, familja Osmani ishte një nga familjet më të pasura shqiptare në Gjermani. Përveç Bashkimit, pjesë e familjes Osmani me prejardhje nga Gjakova, ishin edhe vëllezërit tjerë, Qazimi, Burimi dhe Bekimi.

Gazeta kroate shkruante se si Bashkim Osmani kishte qenë edhe këshilltar i ministrit të Kulturës dhe Sportit në Kosovë në vitin 2007, kohë kjo kur Ministria e Kulturës drejtohej nga Astrit Haraqija.

Tutje Nacional shkruan se familja Osmani ishin shpërngulur në Hamburg në mesin e viteve 1980. Bashkimi kishte rrëfyer për shpërnguljen e familjes drejt Gjermanisë, meqë thoshte se në Jugosllavi s’kishte perspektivë për njerëz ambicioz dhe se në Kosovë s’kishin çfarë të hanin.

“Gjithçka filloi në fillim të viteve tetëdhjetë kur vëllai i parë Qazimi u largua nga Gjakova për në Gjermani dhe ne shkuam pas tij. Në atë kohë në Jugosllavi, si shqiptarë, nuk kishim perspektivë, sidomos nëse ishe ambicioz. Familja jonë ka qenë gjithmonë e famshme në Kosovë, edhe para Luftës së Dytë Botërore, dhe pas luftës babai im ishte politikan. Prandaj, në Gjermani nuk shkuam as me rrëmojsa dhëmbësh në gojë sepse nuk kishim çfarë të hanim në Kosovë. Ne ishim të angazhuar në hoteleri dhe tregti në Kosovë, kishim një nga restorantet më të mëdha në Prishtinë. Ne ishim pronarë të parcelave të mëdha në Kosovë, kishim pjesë pronësore edhe në argjendaritë, nuk mund të ankoheshim. Por cilësia e jetës në Kosovë ishte e ulët, dhe kemi mësuar dy-tri gjuhë të huaja që në moshë të re. Udhëtuam, pamë botën, nuk ishim si shqiptarët e tjerë që mendonin se duhej të bënim dhjetë fëmijë dhe kaq. Kjo nuk është jetë, ne e donim lirinë tonë dhe e dini si dukej në vitet tetëdhjetë në Kosovë”, kishte thënë Bashkim Osmani, në intervistën për “Nacional” në vitin 2007.

I pari nga vëllezërit që kishte shkuar në Gjermani kishte qenë Qazimi, i cili edhe kishte hapur lokalin e parë. Pas tij, atje kishin shkuar Burimi dhe Bashkimi.

Bashkimi në këtë intervistë kishte treguar se si kishin filluar të hapnin lokale, restorante dhe ishin futur në fushën e gastronomisë, ku edhe ishin shumë të sukessshëm.  Gjithashtu Bashkimi kishte treguar me krenari se kishte hapur 18 lokale në Hamburg. Bashkimi për “Nacional” kishte pranuar se nuk do  të kishte një sukses të tillë nëse s’do t’i kishte lidhje politike në Gjermani

 “Nuk do të kisha pasur sukses në biznes nëse nuk do të kisha lidhje politike në Gjermani që i kam edhe sot”, kishte thënë Bashkim Osmani më 2007.

Bashkim Osmani në këtë intervistë për “Nacional”, kishte treguar edhe për fillimin e bizneseve në Gjermani. Osmani kishte thënë se në fillim nuk ishin ngacmuar nga autoritetet gjermane, meqë fillimisht i kishin vlerësuar si të huaj shembullor.

“Gjermanët janë dyshues ndaj të huajve që janë të suksesshëm dhe menjëherë do të dyshojnë për biznes të paligjshëm. Në fillimet e mia nuk ishte shumë, siç thoshin, le t’i lëmë të shkojnë që të shohim deri ku shkojnë. Prandaj nuk na sulmuan në fillim, por na vlerësuan dhe na dalluan si të huaj shembullor që punojmë shumë, investojmë para dhe hapim vende pune. Aty-këtu na futën në të njëjtin sirtar me shumë shqiptarë të tjerë që sipas tyre merreshin me biznese të dyshimta. Unë u thashë: “Pse nuk thoni që edhe Nënë Tereza ishte shqiptare dhe se edhe doktor Ferid Murad, i cili zbuloi Viagrën, ishte shqiptar?”, kishte vazhduar rrëfimin Bashkim Osmani në vitin 2007.

Bashkim Osmani ndër të tjera kishte treguar se si e kishte blerë një rrugë komplet në qytetin e Hamburgut, ku ishin rreth 20 hyrje me afro 200 banesa të cilat i kishte vendosur shteti në shitje dhe Osmani i kishte blerë për t’i renovuar e rimodeluar.

“Ishin vite të mira, unë isha 30 vjeç, isha i ri, kisha para dhe kisha këshilltarë të mirë. Një mik hebre atëherë më tha ‘bli dhe merr me qira, por kurrë mos shis pasuri të paluajtshme dhe nuk do të jesh kurrë i varfër’. Ai mendonte se po i hidhja paratë sepse e shijoja jetën atëherë, nuk kisha fëmijë, nuk mendoja shumë për atë që do të sjellë e nesërmja. Meqenëse nuk isha marrë kurrë me gjëra të vogla, vendosa të blija fillimisht të gjithë rrugën në Hamburg. Ishin 15 apo 20 hyrje të shitura nga shteti. Kam marrë një kredi nga një bankë, e cila nuk është problem në Gjermani edhe sot nëse keni një koncept të mirë dhe nëse ata besojnë tek ju. Vetëm me atë investim fitova aq shumë sa nuk më duhet të bëj asgjë për gjithë jetën. Bleva të gjithë rrugën në qendër të Hamburgut, më shumë se 200 apartamente të vjetra që i rimodelova dhe i mora me qira. Kjo blerje arriti në 20 milionë marka gjermane. Unë isha me fat që çmimet e pasurive të paluajtshme u rritën me 15 deri në 20 për qind brenda dy viteve. Atëherë pashë se sa fitimprurës ishte ai biznes. Ishte i pari mashkull. Më pas u rrethova me ekipin e duhur, arkitektë, avokatë, kontraktorë dhe fillova të zgjerohem përtej Gjermanisë”, kishte vazhduar tutje Osmani.

Në këtë intervistë Bashkim Osmani kishte folur edhe për projektin e ndërtimit të Teatrit të Operas në Prishtinë “Ibrahim Rugova”.

Image

Fotografia e publiukuar nga “Nacional”

Tutje Bashkim Osmani kishte treguar edhe për planet e tij për investime në qytetin Istra të Kroacisë.

“Kjo është dashuri. Unë jam rritur në Istria, çdo vit kam kaluar tre muaj në Istria. Është fenomenale këtu, siguria është e madhe, i lë fëmijët e mi të ecin këtu vetëm në plazh ose në rrugët e qytetit, gjë që nuk mund ta bëj as në Spanjë, as në Gjermani. Investimi ka ardhur krejt rastësisht katër vjet më parë. Bleva hotelin Riviera në Porec, të cilin e bleu fillimisht një gjerman nga i cili e bleva sepse nuk dinte çfarë të bënte me të. Synimi im është të bëj një hotel me dizajn të shkëlqyeshëm që do të ketë 74 suita luksoze dhe që do të riemërtohet Hotel Pallazo. Ne kemi marrë lejen e ndërtimit, punimet do të fillojnë në shtator dhe brenda hotelit me pesë yje do të ketë disa top dyqane. Nëse nuk ka probleme, hoteli do të jetë i hapur sezonin e ardhshëm”, kishte thënë Osmani.

Bashkim Osmani kishte treguar edhe për agjencinë e futbollit “Sportline” që e kishte themeluar në vitin 2002. Siç kishte treguar Osmani, pjesë e agjencisë së tij kishte qenë futbollisti i i njohur nga Paraguai, Nelson Valdez, i cili kishte luajtur fillimisht në Werder Bremen e më pas edhe në Dortmund.

“Është edhe Edgar Baretto nga NEC holandeze, gjithashtu paraguajan. Ndërsa në Mallorca vendosa lidhje me tregun e Amerikës së Jugut, ndërsa, nga ana tjetër, lojtarët nga ish-Jugosllavia humbën vlerën. Sinqerisht, futbollistët e Amerikës së Jugut janë më të disiplinuar se tanët dhe më mirënjohës për bashkëpunimin e tyre, janë më besnikë se tanët. Mirëpo, së fundmi jemi kujdesur edhe për Filip Lonçariqin, portierin e Dinamos. Mendoj se ai djalë ka një potencial të madh, thjesht duhet t’i jepet një shans. Nëse zhvillohet siç duhet, do të jetë një nga portierët më të mirë kroat”, thotë Osmani, i cili në atë kohë ka investuar edhe në klubin e futbollit Red Bull Salzburg. Ai ishte aksioner i klubit të futbollit Red Bull Salzburg, edhe pse quhej Wüstenrot Salzburg, por ai shiti aksionet e tij”,

Megjithatë jo gjithmonë i kishin shkuar punët mirë Bashkim Osmanin, pasi siç kishte thënë edhe vet ai “trëndafilat nuk lulëzojnë gjithmonë”.

Bashkim Osmani kishte treguar për planet për një investim në Hamburg për të ndërttuar objekte afarasite, megjithatë toka që kishin blerë kishte qenë e kontaminuar dhe se s’kishin qenë në dijeni për një gjë të tillë.

“Kemi blerë tokë të kontaminuar, të cilën nuk e kam ditur. Unë kisha një kontratë për ndërtimin e objekteve afariste dhe meqë nuk mund t’i ndërtoja, më duhej të paguaja një kompensim të madh”, kishte thënë Osmani për “Nacional”.

Ai tutje kishte treguar edhe për disa investime në patundshmëri në Maqedoni për të cilat s’kishte qenë i lumtur.

Familja Osmani kishin qenë të angazhuar edhe në politikë. Siç shkruan “Nacional” dhe siç e kishte pranuar edhe vetë Bashkim Osmani, ata kishin ndihmuar presidentin e parë të Kosovë, Ibrahim Rugovën.

“Me presidentin e ndjerë Rugova kam qenë shok shumë i mirë”, kishte thënë Bashkim Osmani për “Nacional” në vitin 2007.

 Gazeta “Nacional” ka treguar edhe për raportimet e mediave gjermane në atë kohë, të cilat bazuar në informacionet e shërbimit sekret gjerman, shkruanin se vëllezërit Osmani ishin bartës të krimit të organizuar.

Siç shkruanin gazetat gjermane atë kohë, “Qazim Osmani i quajtur edhe si “Felix”, merrej me faje, rrëmbime , prostitucion, vjedhje makinash, trafikim droge e falsifikim dokumentash”.

Nacional tutje thekson se atë kohë “shkruhej se vëllezërit blinin kompani në mënyrë të dyshimtë, hynin në pronësi të tyre dhe merrnin kredi bankare në mënyrë po aq të dyshimtë pa asnjë garanci. Qazim Osmani dyshohej edhe për lidhje me islamistët radikalë në Turqi. Tre vëllezërit, Burimi, tregtar i pasurive të paluajtshme, Bekimi, furnizues ushqimi dhe Qazim Osmani, u ndaluan nga policia, ndërsa Bashkimi, pronari i një hoteli në Porec, nuk u ndalua asnjëherë nga policia”.

(Kosova Sot Online)