Veteranët e UÇK-së ia shpenzuan buxhetit afër 20 milionë euro për tre muaj

  • G.G /
  • 18 February 2022 - 13:19
Veteranët e UÇK-së ia shpenzuan buxhetit afër 20 milionë euro për tre muaj

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Mirëqenies Sociale” për tremujorin e katërt (TM4) 2021.

Në mesin e përfituesve janë edhe veteranët e luftës së fundit në Kosovë.

Në raportin e publikuar nga ASK, është bërë i ditur edhe numri aktiv i përfituesve.

Në tremujorin e fundit të vitit 2021, pagën e veteranit e përfituan 36 mijë e 804 euro.

Sipas skemës së pagesës, shuma e pagesës mujore për veteran luftëtar është 170 euro në muaj ndërsa për familjen e veteranit pas vdekjes është 119 euro.

Në një kalkulim të thjeshtë të bërë nga Syri.net Kosova, buxhetit të Kosovës, për pagën e këtyre veteranëve, iu shpenzuan 6 milionë e 256 mijë e 680 euro për një muaj. Për tre muajt e fundit të vitit 2021, në total u shpenzuan 18 milionë e 770 mijë e 40 euro.

Sa para u shpenzuan për pagat e veterantëve gjatë vitit 2021?

Në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, çdo tre muaj publikohen statistikat e përfituesve të pensionit të veteranëve.

Në tre muajt e parë të vitit 2021 (Janar-shkurt-mars) pagën e veteranit e përfituan 38 mijë e 280 persona. Kthyer në para, veterantët ia shpenzuan buxhetit 19 milionë e 522 mijë e 800 euro.

Në tremujorin e dytë të vitit 2021 (prill-maj-qershor) përfituan 37 mijë e 892 veteranë. Kjo i kushtoi buxhetit 19 milionë e 324 mijë e 920 euro.

Në tremujorin e tretë të vitit 2021 (korrik-gusht-shtator) përfituan 36 mijë e 920 veteranë. Kostoja totale ishte 18 milionë e 829 mijë e 200 euro.

Në një kalkulim, duke llogaritur edhe tremujorin e katërt, biem në përfundim, se buxhetit të shtetit iu shpenzuan 76 milionë e 446 mijë e 960 euro.

Numri i madh i veteranëve të UÇK’së, ku në mesin e tyre janë edhe listat e veteranëve të rrejshëm po i kushtojnë shumë buxhetit të Kosovës. Për këto lista pati edhe procese gjyqësore, të cilat u zhvilluan në Kosovë.

(Kosova Sot Online)