Ishte paraparë të miratohet në mars, Sveçla tregon pse u vonua Ligji i Pagave

  • E.K /
  • 27 April 2022 - 15:21
Ishte paraparë të miratohet në mars, Sveçla tregon pse u vonua Ligji i Pagave

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka treguar sot se pse nuk u soll për miratim në Qeveri në muajin mars, Ligji për Pagat në Sektorin Publik.

Gjatë raportimit në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rural, Sveçla tha se janë duke punuar në detaje për këtë Ligj.

Duke u përgjigjur në pyetjen e deputetit të VV-së, Besim Muzaqi, Sveçla tha se duan që Ligji të jetë në përputhje me kapacitet buxhetore të Kosovës dhe se kjo është arsyeja për vonesat e sjelljes për miratim të këtij ligji.

“Nëse u referohemi datave si numra, po kemi vonesë. Kjo është për arsyen e vetme është që ne po punojmë për një Ligj I cili mbulon gjithë sferën e nevojave të të gjitha institucioneve veç e veç dhe me sjell një lloj barazie për secilin për punën e njëjtë. Normalisht që kjo nuk është e lehtë të arrihet. Ka edhe kërkesa e aspirate të drejtë të punonjësve të institucioneve të veçanta që statusi I tyre të përmirësohet në kuptimin e pagës, por gjitha këto duhet pastaj të krahasohen me njëra tjetrën. Duhet edhe që të jenë në përputhje me kapacitetet buxhetore të Kosovës”, ka deklaruar ministri.

Më tutje, Sveçla tha se nuk do të bëjnë një ligj që sipas tij do  të jetë pengesë për zhvillimin e vendit.

“Nuk do të bëjmë një ligj që do të jetë pengesë e zhvillimit të vendit tonë. Nuk do të bëjmë një Ligj që do të sjellë padrejtësi, i cili ka rrezik të na kthehet mbrapsht nga Gjykata Kushtetuese. Do të bëjmë  një Ligj i cili bazuar në mundësitë modeste të vendit tonë do të paguajnë secilin për punën e tij që e bën”, tha më tutje ai. 

(Kosova Sot Online)