Një fëmijë i zhdukur është gjetur i gjallë pas më shumë se 40 vitesh

  • E.K /
  • 11 June 2022 - 10:21
Një fëmijë i zhdukur është gjetur i gjallë pas më shumë se 40 vitesh

Një grua që iu dorëzua zyrtarëve të një kishe në Arizona, si foshnje para më shumë se katër dekadave, është identifikuar përmes ADN-së si vajza e një çifti nga Florida, trupat e vrarë të të cilëve u gjetën në Teksas në vitin 1981.

Hetuesit janë ende duke punuar për të zgjidhur rastin e vrasjes së çiftit dhe po kërkojnë ndihmë prej qytetarëve, tha në një konferencë për shtyp ndihmësi i prokurorit të parë të Teksasit, Brent Webster.

“I urojmë Hollyt më të mirat. Jemi mirënjohës që e gjetëm”, tha Webster. “Por ne duhet të vazhdojmë drejt qëllimit tonë – kush e vrau këtë çift”, shtoi ai.

Prindërit janë identifikuar si Tina Gail Linn Clouse dhe Harold Dean Clouse Jr., nga Florida, dhe trupat e tyre u zbuluan në vitin 1981 në një zonë pyjore në Houston, Teksas, raporton cnn.

Në atë kohë, hetuesit nuk mundën të identifikonin prindërit dhe identifikimi i tyre erdhi vitin e kaluar përmes testit të ADN-së. Vajza e tyre, e cila në atë kohë ishte e mitur, nuk u gjet me ta – duke lënë pas shumë pyetje pa përgjigje.

Më shumë se 40 vjet më vonë, gruaja u gjet “e gjallë dhe mirë”, thanë zyrtarët të enjten. Tani në moshën 42-vjeçare, gruaja u referua si “Baby Holly” nga Webster në konferencën për shtyp.

Ndërsa autoritetet punojnë për të mbledhur detaje rreth vrasjes misterioze të çiftit, ata po e kthejnë vëmendjen te anëtarët e një grupi fetar nomad që besojnë se e sollën Hollyn në një kishë në Arizona rreth kohës së zhdukjes së saj, sipas Webster.

Kushdo që ka informacion në lidhje me rastin inkurajohet të kontaktojë Njësinë e Rastit të Ftohtë dhe Personave të Zhdukur të zyrës së AG.

(Kosova Sot Online)