Kosova nis negociatat për tregti të lirë me vendet joanëtare të BE-së

  • E.K /
  • 21 June 2022 - 11:36
Kosova nis negociatat për tregti të lirë me vendet joanëtare të BE-së

Kosova ka nisur negociatat për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me vendet e Asociacionit Europian për Tregti të Lirë (EFTA).

Raundi i parë i negociatave pritet të nisë në fund të muajit gusht 2022, siç ka njoftuar ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila zhvilloi takime me disa ministra të shteteve anëtare të EFTA-s, në Borgarnes të Islandës.

EFTA u themelua në vitin 1960 si një alternativë e Bashkimit Europian dhe është një organizatë botërore për tregti që sot ka katër shtete anëtare: Norvegjinë, Zvicrën, Lihtenshtajnin dhe Islandën.

Në fjalën e saj, Hajdari ka dhënë zotimin e Kosovës për krijimin e një mjedisi afarist që do ta bëjë Republikën e Kosovës një destinacion më konkurrues në Europën juglindore. 

Ministrja tha se finalizimi sa më i shpejtë i kësaj marrëveshjeje është i një rëndësie të madhe për Kosovën, pasi shkëmbimet tregtare me vendet e EFTA-s, veçanërisht me Zvicrën dhe Norvegjinë, janë vazhdimisht në rritje dhe kanë një bilanc të dukshëm pozitiv tregtar për mallra dhe shërbime.

Hajdari tha se në takim ka paraqitur edhe treguesit e performancës së vendit tonë ku kemi shënuar si asnjëherë më parë rritje ekonomike, rritje të treguesve të demokracisë, lirisë së të shprehurit dhe përpjekjet për të forcuar shtetin e së drejtës, me qëllimin për të siguruar një të ardhme më të ndritur për shoqërinë tonë, rininë tonë.

“Përfundimi i kësaj marrëveshjeje është jetik për Republikën e Kosovës dhe synon zhvillimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe vendeve të EFTA-s, duke u fokusuar në thellimin dhe forcimin e marrëdhënieve të bazuara në interesa të përbashkëta në fushën e ekonomisë, tregtisë dhe investimeve”, ka thënë Hajdari, siç njofton faqja zyrtare e  EFTA-s.

Hajdari atje ka thënë se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është jetik për Kosovën në aspektin politik sa i përket partnerëve të tjerë tregtarë dhe investitorëve të huaj dhe dua të konfirmoj edhe një herë se një qëndrim i tillë sot paraqet një vendim të rëndësishëm në hapjen e ekonomisë kosovare drejt mundësive të reja zhvillimore.

Ministrja e Tregtisë këtu ka përmendur edhe diasporën e Kosovës në këto shtete, të cilën e cilësoi si thesar. Megjithatë, ajo tha se diaspora është thesar më i vogël krahasuar me popullësinë në Kosovë, e cila është nën 35 vjeç dhe “për këtë arsye puna jonë dhe angazhimi i qeverisë është që të sigurojë një progres të mirë për të ardhmen e popullit tonë, të rinisë sonë dhe për dërgesat e diasporës sonë për t’i sjellë ata të investojnë”.

Por, cilat janë marrëdhëniet ekonomike ndërmjet shteteve të EFTA-s dhe Kosovës deri tash?

Tregtia dypalëshe e mallrave EFTA-Kosovë është rritur me shpejtësi që nga viti 2002 dhe ka arritur në më shumë se 127 milionë dollarë në vitin 2021. Eksportet kryesore të EFTA-s në Kosovë në vitin 2021 ishin automjetet, duhani dhe produktet farmaceutike. Në të njëjtin vit, importet e mallrave nga Kosova përbëheshin kryesisht nga mobilje, plastika dhe artikuj prej hekuri dhe çeliku.

Shtetet e EFTA janë tregtari i trembëdhjetë më i madh i mallrave në botë dhe tregtari i tetë më i madh në shërbimet tregtare, si dhe aktorë të rëndësishëm në investimet e huaja direkte. Përveç Zonës Ekonomike Evropiane (ZEE) dhe marrëveshjeve dypalëshe Zvicër-BE, EFTA ka 29 marrëveshje të tregtisë së lirë (FTA) me gjithsej 40 vende partnere në mbarë botën.

(Kosova Sot Online)