Rama në Austri: Vendi më i mirë për të marrë veten nga mbledhjet depresive të Brukselit

  • E.K /
  • 25 June 2022 - 15:19
Rama në Austri: Vendi më i mirë për të marrë veten nga mbledhjet depresive të Brukselit

Gjatë vizitës së tij zyrtare kryeministri Edi Rama e ka quajtur Vjenën vendin më të mirë për të marrë veten pas samitit të BE në Bruksel të cilin e ka quajtur mbledhje depresive. Nga Austria Rama tha se BE ka nevojë për Ballkanin, po aq sa Ballkani ka nevojë për BE-në.

“Më duket ky vend i përsosur për të diskutuar Europën dhe Ballkanin Perëndimor. në këtë lloj kryqëzimi ku disa prej shkallëve shkojnë lart, disa zbresin për poshtë dhe ne jemi në mes. Po, ne mund ta ngremë njeri-tjetrin por po kështu mund ta ulim njeri-tjetrin poshtë. Disa e kuptojnë fare mirë, disa kanë nevojë për më shumë shtysë ta kuptojnë. Sot faktikisht BE ka nevojë për Ballkanin, po aq sa Ballkani ka nevojë për BE-në. Nga ana tjetër duhet të them se nuk është ide e mirë që të ftosh dikë nga Ballkani dhe ta lësh të ulet sepse mund të kërkojë vërtetë shumë kohë që të dëgjosh fjalën e tij. Ndaj urime të gjithë atyre që patën idenë që unë të qëndroj në këmbë në mënyrë që trupi im t’i ndalë vrullin gojës sime. Më lejoni t’ju them po kështu se nuk ka vend më të mirë se Austria për të marrë veten nga mbledhjet depresive të Brukselit. Dua të falënderoj me gjithë zemër, Carolinë që më dërgoi ftesën dhe drejtorin e këtij forumi të shkëlqyer. Nuk falënderoj dot sa duhet kancelarin për mikpritjen e tij të shkëlqyer. Ai është këtu me ne, njësoj siç ulet pranë meje në Këshill, pasi Shqipëria dhe Austria nisin me A. Është më tepër se kaq, kam krah meje udhëheqësin e një vendi që ngahera ka qenë mbështetës i Ballkanit Perëndimor dhe i Shqipërisë. Faleminderit Karl”, tha Rama duke iu drejtuar kancelarit austriak Karl Nehammer .

Teksa ka komentuar vendimin e parlamentit bullgar për të pranuar propozimin francez për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut Rama u shpreh se nuk lidhet çdo gjë vetëm me Bullgarinë. Ndër të tjera komenton gjendjen shëndetësore të presidentit rus Vladimir Putin duke thënë se nuk dihet nëse fjalët që qarkullojnë për të janë të vërteta ose jo.

“Dje, parlamenti bullgar votoi për diçka, por dua të theksoj se kjo nuk lidhet vetëm me Bullgarinë. Bullgaria është shprehja finale e frymës së deformuar të zgjerimit. Ka diçka më të thellë që është humbur dhe duhet rikuperuar shpejt. Të gjithë dëgjojmë që Putin është shumë i sëmurë. Mund të jetë ose jo e vërtetë, por nuk duket sikur BE është shumë e shëndetshme dhe se hapësira jonë është e mbrojtur mirë nga ajo çka mund të vijë. Dëgjova një prej miqve francezë që përsëriste se Putin ka bërë të kundërtën e asaj ka kërkonte duke përbashkuar Europën, duke sjellë bashkë NATO, por është shumë herët për tu thënë se nuk duket sikur dimri i ardhshëm do të jetë i lehtë dhe nuk duhet të marrim të mirëqenë cakun e durimit të opinionit publik që as nuk ekziston në Rusi.

Problemi është se sa më shumë njerëzit kanë, aq më pak janë të prirur që të heqin dorë qoftë nga një gjë e vogël. T’i thuash të pasurve që na duhet të durojmë inflacionin e lartë sepse një gjë shumë më e rëndësishme është në lojë, është më e lehtë ta thuash se ta bësh. Por ç’mund të them nga ana tjetër? Në cepin tonë të botës, BE është realiteti i vetëm gjeografik në historinë e hartave që ka dy kufij, një të brendshëm e një të jashtëm dhe është kjo copëz bote që quhet Ballkan dhe besoj se Austria është ndër të paktat që ka ide të qartë pavarësisht çështjeve të brendshme dhe kurrë nuk e ka tradhtuar“, tha Rama.

Vijon…

(Kosova Sot Online)