Komuna e Kamenicës thotë se ka filluar mësimi në dy shkolla, nesër pritet në tjerat

  • E.K /
  • 06 September 2022 - 15:23
Komuna e Kamenicës thotë se ka filluar mësimi në dy shkolla, nesër pritet në tjerat

Komuna e Kamenicës ka njoftuar se sot ka filluar mësimi në shkollat e fshatrave Karaçevë e Poshtme dhe Busavatë.

Në faqen zyrtare të komunës thuhet se mësimi do të fillojë nesër edhe në institucionin parashkollor “Flitzat” dhe shkollat e tjera.

Në fotografitë e publikuara shihet Kryetari i komunës, Kadri Rahimaj, duke u shpërndarë librat nxënësve.

“Ka filluar procesi mësimor në Komunën e Kamenicës. Sot ka filluar procesi mësimor në shkollat e fshatrave Karaçevë e Poshtme dhe Busavatë. Nga nesër procesi mësimor do të fillojë edhe në Institucionin Parashkollor “FILIZAT” dhe shkollat e tjera.

Falënderojmë mësuesit që janë treguar të arsyeshëm, edhe kundrejt kërkesave të tyre por edhe zhvillimit të mësimit”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Sekretari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Ymer Ymeri, tha se në komunën e Kamenicës dhe Podujevës po mbahet mësim vetëm në nga një shkollë, ndërsa në Gjilan e Shtime greva po vazhdon në të gjitha shkollat.

Sipas Ymerit, mësimi po mbahet vetëm në shkollën në Busavatë.

“Sipas informacioneve që kemi ka filluar mësimi në Busavatë të komunës së Kamenicës. Në Podujevë mësimin e ka nisur shkolla ku kryeministri dje ka shpërndarë libra. Në Gjjilan dhe në Shtime sipas informatave që kemi mësimi nuk ka filluar në asnjë shkollë”, tha Ymeri

(Kosova Sot Online)