Kosova dhe Mali i Zi me marrëveshje në fushën e mbrojtjes

  • E.K /
  • 09 September 2022 - 11:58
Kosova dhe Mali i Zi me marrëveshje në fushën e mbrojtjes

Kosova dhe Mali i Zi kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi, për të cilin ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj tha se thellon marrëdhëniet mes dy vendeve.

Pasi e priti në takim homologun e tij nga Mali i Zi, Mehaj tha se kanë rikonfirmuar bashkëpunimin e fuqishëm mes dy vendeve dhe se Mali i Zi e mbështet Kosovën drejt anëtarësimit në NATO.

“Takimi sot ka qenë shumë i frytshëm, kemi rikonfirmuar bashkëpunimin e fuqishëm që kemi në mes dy shteteve tona, siç nënshkruam edhe marrëveshjen bilaterale e cila rritë bashkëpunimin në shumë fusha, angazhime të përbashkëta edhe në aspektin ushtarak. Me këtë marrëveshje zgjerojmë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes që është i domosdoshëm në aspektin e sigurisë, stabilitetit, demokracisë në mes dy vendeve tona”, tha ai.

Mehaj ka theksuar synimin e Kosovës për anëtarësim sa më të shpejtë në NATO.

“Mali i Zi si shtet mik i yni, na mbështet në orientimin tonë në iniciativa rajonale, edhe drejt anëtarësimit të plotë në NATO. Na ka ofruar mbështetje në proces dhe realizimin e synimeve tona në anëtarësim në organizata rajonale. Paqja, siguria dhe stabiliteti rajonal është jetike sidomos për shtetet e Ballkanit, kjo është e ardhmja jonë e përbashkët euroatlantike”, ka thënë Mehaj.

(Kosova Sot Online)