Osmani për “kornizën e re” të dialogut: Idetë që nuk sjellin njohje reciproke nuk kontribuojnë për paqe afatgjatë

  • E.K /
  • 13 September 2022 - 13:24
Osmani për “kornizën e re” të dialogut: Idetë që nuk sjellin njohje reciproke nuk kontribuojnë për paqe afatgjatë

Presidentja Vjosa Osmani deklaroi se idetë ose gjysmë zgjidhjet që nuk kontribuojnë në arritjen e njohjes reciproke, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk sjellin paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.

Në konferencën e përbashkët për media pas takimit me homologen e saj hungareze, Katalin Novak, Osmani, tha se mirëpresin përkushtimin e kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez, Emmanuel Macorn për dialogun dhe paqen në rajon.

Ajo tha se vizita e dy këshilltarëve franko-gjermanë tregon qëllimin për dinamizëm të procesit të dialogut.

Duke folur për paralajmërimin për një “kornizë të re” të dialogut Kosovë-Serbi për të cilën deri më tani ka folur vetëm presidenti serb Aleksandër Vuçiq por pa dhënë shumë detaje, Osmani tha se qëndrimi i Kosovës mbetet i njëjtë se vetëm njohja reciproke është zgjidhja përpara.

“Ne i falënderojmë kancelarin Scholz dhe presidentin Macron për përkushtimin e tyre ndaj paqes dhe stabilitetit në rajon. Fakti që ekipet e tyre më të afërta merren me paqen dhe stabilitetin e rajonit tonë tregon përkushtimin e kancelarit Scholz dhe presidentit Macron. Sa i përket asaj që po diskutohet, natyrisht vet ardhja e tyre në Kosovë kishte për qëllim dinamizmin e procesit. Kosova edhe një herë iu ka dëshmuar të gjithë partnerëve tanë brenda BE-së, por edhe jashtë BE-së, veçanti ShBA-së që ne jemi pala konstruktive në këtë proces, pala që gjithnjë ka vazhduar të bëjë propozime që sjellin paqe dhe stabilitet në rajon. Por çdo zgjidhje duhet të jetë për paqe dhe stabilitet afatgjatë sepse gjysmë zgjidhjet ose idetë të cilat nuk kontribuojnë drejt njohjes reciproke asnjëherë nuk mund të kontribuojnë as në paqen dhe stabilitetin afatgjatë. Andaj qëndrimi i Kosovës mbetet po ai që keni qëndruar vazhdimisht, ai që është rikonfirmuar edhe në letrat e presidentit Biden dhe deklaratat publike të kancelarit Scholz, se njohja reciproke është zgjidhja përpara, njohja reciproke sjell paqen dhe stabilitetit afatgjatë”, tha ajo.

Për dialogun Kosovë-Serbi, foli edhe presidentja e Hungarisë, Katalin Novak, e cila tha se i njëjti duhet të vazhdojë dhe se palët duhet të kërkojnë zgjidhje kompromisi.

“Sa i përket dialogut Beograd-Prishtinë, normalisht se duhet të vazhdohet dhe është me rëndësi që ky mos të ndalet. Palët negociuese duhet të gjejnë rrugën e përbashkët dhe të arrijnë të ruajnë paqen dhe stabilitetin e këtij rajoni. Sidomos tash kur ka luftë në Ukrainë dhe është me rëndësi që dialogu të vazhdojë. Është e qartë se ka lehtësues të dialogut, roli i të cilëve është të gjejnë kompromisin, por qëllimi duhet të vjen nga palët negocuese që kërkojnë zgjidhje”, vijoi ajo.

Krahas kësaj, presidentja Novak ofroi mbështetjen për rrugën euro-atlantike të Kosovës.

Ndërkohë, theksoi se do të bëjë çmos që Bashkimi Evropian të jep dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën kemi qenë në favor të saj që prej ditës së parë. Duam që ato të hiqen sa më shpejtë që është e mundur, zonja presidente mund të llogarisë tek unë. Ne do të bëjmë çdo gjë në fuqinë tonë që Kosova të marrë liberalizimin e vizave sa më shpejtë që është e mundur”, theksoi Novak.

Lidhur me liberalizimin e vizave, presidentja Vjosa Osmani tha se Bashkimi Evropian duhet t’i mbajë premtimet e veta dhe se i njëjti duhet të ndodh gjatë këtij viti, nën presidencën çeke.

“Kosova vërtet të ketë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e saj gjatë këtij viti, presidencës ceke. Është koha që edhe Bashkimi Evropian t’i mbajë premtimet e dhëna ndaj qytetarëve tanë”, tha Osmani.

Nga ana tjetër, Osmani, përsëriti aspiratat e Kosovës për aplikimin në Bashkimin Evropian për marrjen e statusit vend kandidat për anëtarësim në këtë organizatë multilaterale evropiane.

(Kosova Sot Online)