Tragjedia gjatë zhytjes në Sarandë pasqyrohet në mediet britanike, si tentoi ta shpëtojë i dashuri turisten

  • E.K /
  • 21 September 2022 - 10:05
Tragjedia gjatë zhytjes në Sarandë pasqyrohet në mediet britanike, si tentoi ta shpëtojë i dashuri turisten

29-vjeçarja nga Britania e Madhe Rebeça Gannon, ka ndërruar jetë dy ditë më parë teksa merrte pjesë në një ekspeditë zhytjeje në vendin e quajtur “Vapori i mbytur” në Sarandë. R

Mediat britanike e kanë pasqyruar gjerësisht lajmin e vdekjes së turistes angleze në brigjet shqiptare.

Sipas asaj që shkruajnë mediat, 29-vjeçarja ishte së bashku me të dashurin në këtë ekspeditë.

Daily Mail ka shkruar se i dashuri i saj ka qenë dëshmitar i kësaj tragjedie. Zhytësit që kanë qenë të pranishëm janë përpjekur që ta shpëtojnë të renë.

“Në të vërtetë nuk e dimë se çfarë ndodhi dhe po presim policinë që të mbarojë hetimin. Vajza britanike që vdiq ishte së bashku me të dashurin. Të dy kishin certifikata PADI për zhytjeje në ujëra të hapura kështu që ishin të kualifikuar për t’u zhytur me ne. Ajo qëndroi në ujë për 10 minuta dhe më pas hasi vështirësi. Më parë ka pasur një problem me rregulluesin e oksigjenit, por u ndërrua dhe po punonte shumë mirë. Gjëja e radhës që dimë është që Saimiri e pikasi që ajo kishte probleme dhe u zhyt për ta shpëtuar. Ai bëri gjithçka që mundej për ta çuar në sipërfaqe. Ishte një eksperiencë traumatike dhe i dashuri i saj ishte shumë i trishtuar nga kjo ngjarje. Thjesht nuk e dimë çfarë ndodhi”, tha Gerta Brozi e cila ishte me grupin e zhytësve.

Në lidhje me këtë ngjarje është arrestuar instruktori Saimir Kushova, 45 vjeç pasi sipas policisë shqiptare ai kishte punësuar në mënyrë të paligjshme instruktoren e zhytjes në grupin e tij të punës, si dhe nuk ka siguruar kushtet e nevojshme teknike për zhytje.

Si ndodhi ngjarja dy ditë më parë

Në ekuipazhin e anijes kanë qenë 8 të huaj bashkë me 3 shqiptarë. 29-vjeçarja, kishte kryer zhytje për herë të fundit në janar të këtij viti, kurse shtetasit e tjerë të huaj kanë kryer edhe më parë zhytje. E reja ka arritur që të dalë në sipërfaqe të detit dhe ka bërë thirrje për ndihmë. Grupi me të cilin ishte i kanë bërë thirrje që të shtypë butonin e emergjencës, i cili hap jelekun e shpëtimit dhe lëshon bombulën e oksigjenit. Por 29-vjeçarja nuk ka arritur që ta shtypë dot.

I dashuri i 29 vjeçares ka sqaruar se doli në ajër, por varka ka qenë 30 metra larg. Ai ka ecur në ujë gjatë zhytjes kur ka dalë dhe ka kërkuar ndihmë. Ekuipazhi i anijes ka qenë i specializuar dhe përpara se të bëjnë zhytje të gjithë kanë plotësuar një formular që dinë që të kryejnë zhytje. Jashtë e kanë nxjerrë 3 pronarët e anijes specialistë në zhytje.

(Kosova Sot Online)