Shqiptari këmben tokë me Komunën e Graçanicës: ia jep 18 ari, i merr 17 hektarë

  • E.K /
  • 29 September 2022 - 09:20
Shqiptari këmben tokë me Komunën e Graçanicës: ia jep 18 ari, i merr 17 hektarë

Rexhë Shoshi, një shqiptar i Graçanicës, ka përfituar nga një vendim i Kuvendit të Komunës atje, sipas të cilit, Komuna ia ka dhënë atij 17 hektarë tokë, në këmbim të së cilës Shoshi ia ka lëshuar Komunës rrugën private prej rreth 18 ari.

Mediumi serb në Kosovë, KoSSev, shkruan se ky vendim u mor me propozimin e kryetares së Graçanicës, Ljiljana Shubariq, të cilin e ka lexuar drejtoresha e Departamentit për Planifikim, Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, Aleksandra Gjekiq, pa specifikuar detaje.

“Propozohet që një pjesë e parcelës kadastrale në Graçanicë në pronësi të komunës së Graçanicës të këmbehet me patundshmëri me vendin Ravnishtë në Çagllavicë, e cila është shpallur parcelë me interes publik”, citohet të ketë thënë Aleksandra Gjekiq.

Ish-kryetari i Komunës së Graçanicës, Branimir Stojanoviq, ka publikuar në faqen e tij në Facebook faqen e parë të këtij vendimi, ku në nenin 1 thuhet se miratohet “shkëmbimi i pronës së paluajtshme të komunës”.

“Pjesë e ngastrës kadastrale nr.4-0 KZ Graçanicë, sipërfaqja 169597 m2, lloji i shfrytëzimit të parcelës – bujqësore, shfrytëzimi aktual i parcelës – kullotë e klasit të 3-të në pronësi të Komunës së Graçanicës, me parcelë nr. 909-26 KZ Çagllavicë, sipërfaqe 1844m2, lloji i shfrytëzimit të parcelës – infrastrukturë, shfrytëzimi aktual i parcelës – rrugë private, vendi i quajtur RAVNISHTE OKUÇNICA, në pronësi të Rexhë Shoshit”, thuhet në vendim.

Stojanoviq publikoi edhe kopje të planit të parcelave të shkëmbyera dhe e cilësoi “tradhti” këtë vendim.

“Nëse dikush ende nuk e kupton pse qeveria në Graçanicë duhej të ishte kaq e pashpirt. Ja një shembull – 17 hektarë tokë komunale sapo u dhuruan për 18 ari! Kjo është tradhti ndaj popullit tonë që jeton këtu! Thjesht ndaloni së foluri për qëndrimin dhe mbijetesën! Turp të keni! Tradhti!”, ka shkruar Stojanoviq.

Pse konkretisht 18 ari pronë private në Çagllavicë janë shpallur “interes publik” dhe sipas cilës përllogaritje sipërfaqja është dhënë gati njëqind herë më e madhe nga ajo që u mor në këmbim, si dhe ku ndodhen saktësisht parcelat e përmendura, nuk janë përgjigjur nga Komuna.

Në ndërkohë kanë reaguar edhe dy iniciativa qytetare nga veriu i Kosovës, të cilat kanë kërkuar tërheqjen e menjëhershme të vendimit të Kuvendit të Komunës së Graçanicës.

Ata u bënë thirrje qytetarëve që të bëjnë presion mbi Listën Serbe me qëllim të tërheqjes së vendimit, sepse në të kundërtën, siç thonë ata, do të mund t’i “paketojnë valixhet lirisht sepse mbijetesa e tyre do të vihet në pikëpyetje”.

(Kosova Sot Online)