Deputeti i VV-së që kaloi te ulëset e AAK-së: Unë nuk e tradhtoj familjen

  • A.P /
  • 29 September 2022 - 20:50
Deputeti i VV-së që kaloi te ulëset e AAK-së: Unë nuk e tradhtoj familjen

Dy deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani dhe Gramos Agusholli në vazhdimin e seancës së sotme janë zhvendosur nga ulëset e tyre të zakonshme në mesin e Kuvendit për të zënë vend pas deputetëve të AAK-së

Nuk dihet se cila është arsyeja e kësaj lëvizje në Kuvend, megjithatë deputeti Eman Rrahmani ka kohë që ka mospajtime me vijën e Lëvizjes Vetëvendosje për çështje të ndryshme.

Lidhur me këtë, Agusholli ka reaguar përmes një shkrimi në Facebook, duke thënë se ndërrimi i ulësve as nuk ka qenë povokim, apo shenjë që do të largohet në VV’ja.

“Ndryshimi i ulëses nuk ka qenë as provokim, e as shenjë se po ndahem nga Lëvizja. Unë jam pjesë e familjes politike, që quhet Vetëvendosje, e nuk jam prej atyre që e tradhëtojnë familjen e familjarët, pavarësisht se aty mund të ketë ndonjë mospajtim”, shkroi Agusholli.

Tutje, ai tha se nuk do ta thyejë besimin e votuesce të tij, as duke e lënë VV’në, por as duke i shkelur parimet e tij.

“Në secilin rast të parin e kam vendosur votuesin e Lëvizjes. Ata më kanë votuar me 14 shkurt, si pjesë e listës së ndryshimit, andaj edhe unë i përmbahem këtij besimi. Nuk do ta thyej atë besim, as duke e lënë Lëvizjen, por as duke i shkelur parimet e mia”.

Kujtojmë se ditë më parë, Rrahmani ka folur edhe publikisht për mospajtimet brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Gjithë kriza në raportet mes Rrahmanit dhe udhëheqjes së VV-së ka nisur si rezultat i projektligjit për kodin civil, më specifikisht nenet për martesat e gjinisë së njëjtë.

Përveç kësaj çështje, deputeti Rrahmani ka treguar se i  përkrah kërkesat e SBASHK-ut dhe i sheh ato plotësisht të arsyeshme. Ai sjelljen e Dimal Bashës ndaj Rrahman Jashrajt e kishte konsideruar si jo të duhur.

Deputeti Eman Rrahmani gjithashtu gjatë raportimit të Nagavcit e Muratit në Komisionin për Arsim është parë në një shkëbim të tensionuar me deputetin e VV-së, Ardian Gola, i cili edhe drejton Komisionin. Pas debatit me Golën, Rrahmani kishte lëshuar mbledhjen.

Ndërkohë qëndrim të njëjtë me Eman Rrahmanin për projektkodin civil ka edhe deputeti Gramos Agusholli, i cili ka votuar kundër në Kuvendin e Kosovës.

(Kosova Sot Online)