Kultivonin drogë në një fshat të Kaçanikut, Gjykata shpall aktgjykimin ndaj tre të akuzuarve

  • A.P /
  • 19 October 2022 - 16:36
Kultivonin drogë në një fshat të Kaçanikut, Gjykata shpall aktgjykimin ndaj tre të akuzuarve

Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpall aktgjykim dënues ndaj tre personave të akuzuar për veprat penale të narkotikëve me gjashtë vite burgim dhe 4600 euro gjobë – N.B, T.B dhe K.B.

Ata akuzohen për veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimës së kanabisit”, ndërsa N.B edhe për “Mbajtja në pronës, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

“Në muajin shkurt deri më 6 korrik 2022 të pandehurit duke vepruar si anëtarë të grupit, në një fshat të Komunës së Kaçanikut, me dashje, pa autorizim kanë kultivuar bimën e kanabisit, me qëllim të prodhimit të narkotikëve, në atë mënyrë që kanë marrë një shtëpi me qira në të cilën kanë zhvilluar këtë veprimtari, mirëpo rreth orës 14:30, gjatë kontrollit brenda shtëpisë janë hasur të pandehurit të cilët janë arrestuar dhe nga aty janë gjetur bimë e kanabisit të paketuar në sasi prej 5 kg e 227.6 gram, së bashku me pajisjet për kultivimin e tyre të cilat edhe janë sekuestruar nga policia. Gjithashtu, i pandehuri N.M., me 6 korrik 2002, në banesën e tij në Ferizaj, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm, lidhur me armët, ka mbajtur në pronësi pistoletën e tipit “Sigsauer”, pa numër serik, ngjyrë të zezë, një karikator me 7 fishekë, të kalibrit 7.65 mm, në atë mënyrë që gjatë kontrollit të banesës së tij nga ana e policisë e njëjta i gjendet dhe sekuestrohet”, thuhet në komunikatë.

“Andaj, të pandehurin: N.B., e shpalli fajtor dhe të njëjtin e gjykoi me dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej tre (3) vite, si dhe dënim me gjobë në shumë prej dymijë e gjashtëqind (2.600) €, në të cilin dënim do t`i llogaritet koha e kaluar në paraburgim; të pandehurin T.B., e shpalli fajtor dhe të njëjtin e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej një (1) vit e gjashtë (6) muaj, si dhe dënim me gjobë në shumë prej njëmijë (1.000) €, në të cilin dënim do t`i llogaritet koha e kaluar në paraburgim; të pandehurin K.B., e shpalli fajtor dhe të njëjtin e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej një (1) vit e gjashtë (6) muaj, si dhe dënim me gjobë në shumë prej njëmijë (1.000) €, në të cilin dënim do t`i llogaritet koha e kaluar në paraburgim. Të cilat dënime do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, thuhet në komunikatë/

“Të akuzuarve: N.B., T.B., K.B., i është ndërprerë masa e paraburgimit, për shkak se kanë pushuar arsyejet për të cilat ka qenë e caktuar kjo masë”, thuhet në komunikatë.

(Kosova Sot Online)