Përparim Rama reagon për testimin e qarkores njëkahëshe: Është bërë me qëllimin më të mirë

  • A.P /
  • 28 October 2022 - 19:07
Përparim Rama reagon për testimin e qarkores njëkahëshe: Është bërë me qëllimin më të mirë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas testimit të sotëm të shndërrimit të unazës qendrore të Prishtinës në qarkore njëkahëshe për automjetet.

Rama ka thënë se ai e kupton frustrimin e qytetarëve rreth këtij testimi dhe se, gjatë ditës së sotme ka pranuar mesazhe me propozime e rekomandime konkrete për të ofruar një zgjidhje përfundimtare për komunikacionin e ngarkuar të kryeqytetit.

“E kuptoj plotësisht frustrimin e shumë qytetarëve rreth këtij testimi. Unë dhe stafi përgjegjësi i Komunës së Prishtinës bashkendjejmë me ju. Pavarësisht këtij frustimi të shprehur, ju falënderoj përzemërsisht për durimin që treguar sot.  Gjatë gjithë ditës së sotme, ne kemi bërë identifikimin e fytave të ngushtë dhe njëkohësisht kemi pranuar mesazhe me propozime e rekomandime konkrete për të ofruar një zgjidhje përfundimtare për komunikacionin e ngarkuar të Kryeqytetit tonë. Të gjitha propozimet dhe shqetësimet jemi duke i trajtuar me kujdes të veçantë bashkë me stafin tim”, ka thënë Rama.

Po ashtu i pari i Prishtinës, ka falënderuar edhe Policinë e Kosovës për punën dhe bashkëpunimin.

Pos tjerash, ai ka shtuar se ky testim është bërë me qëllimin më të mirë për qytetarët e Prishtinës.

“Dua të bëj një falënderim të veçantë për Policinë e Kosovës, për punë e zellshme dhe bashkëpunimin efektiv. Dua të ju siguroj se ky testim si dhe testimet e mëparshme janë bërë me qëllimin më të mirë të mundshëm për qytetarët e Prishtinës dhe qyteteve tjera të cilët punojnë dhe vizitojnë kryeqytetin”, ka thënë Rama.

(Kosova Sot Online)