Kërkohet paraburgim ndaj prishtinasit, mori para duke mashtruar për investim në kriptovaluta

  • A.P /
  • 01 November 2022 - 17:14
Kërkohet paraburgim ndaj prishtinasit, mori para duke mashtruar për investim në kriptovaluta

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente, ndaj L.G., për shkak të veprës penale “Mashtrimi” (në vazhdimësi). Ai gjendet në ndalim nga 31 tetori, me urdhër të Prokurorit të Shtetit.

Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri, nga muaji gusht i vitit 2020 ka mashtruar njerëz duke i bindur se do t’u kthehen paratë e investuara në kriptovaluta. Ai akuzohet se ka marrë shuma të ndryshme të parave nga të dëmtuarit, dhe atë në shumën rreth 500.000.00 €.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se në këtë çështje penale, Prokurori i Shtetit ka aplikuar masat e fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit, me ç’ rast më 12 tetor 2022, ka ndaluar dy persona të dyshuar të përfshirë në rastin e njëjtë dhe ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj tyre.

“Prokurori i çështjes në koordinim me policinë janë duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore për ta ndriçuar në plotëni këtë rast”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Prishtinës.

(Kosova Sot Online)