Një e pesta e refugjatëve ukrainas në Gjermani janë tashmë të punësuar

  • A.P /
  • 16 November 2022 - 15:41
Një e pesta e refugjatëve ukrainas në Gjermani janë tashmë të punësuar

Çdo i pesti refugjat nga Ukraina ka gjetur tashmë një punë në Gjermani, raporton të mërkurën instituti ekonomik gjerman Ifo, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”

“Gatishmëria për të marrë një punë mes ukrainasve është e madhe. Vetëm një pakicë e vogël nuk është e interesuar për punësim”, thotë Tetyana Panchenko, një shkencëtare nga Instituti Ifo.

Në të njëjtën kohë, një sondazh i kryer midis refugjatëve ukrainas që mbërritën në Gjermani pas sulmit rus ndaj Ukrainës tregoi se më shumë se gjysma e atyre që gjetën punë punojnë në punë që janë nën kualifikimet e tyre.

Për qytetarët e Ukrainës, sipas të dhënave të Dhomës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë (DIHK), transmeton gazeta “Kosova Sot Online”, nuk ka kufizime në punësim që vlejnë për të huajt e tjerë që nuk vijnë nga një nga vendet e Bashkimit Evropian.

Nostrifikimi i diplomave profesionale kërkohet vetëm në sektorin e shëndetësisë.

Një i tretë synon të kthehet në Ukrainë
Sipas të njëjtit sondazh, dy të tretat e ukrainasve synojnë të qëndrojnë në Gjermani për "të paktën dy vjet", ndërsa një e treta synojnë të kthehen në çdo rast.

Në sondazhin e fundit në qershor, më shumë se gjysma thanë se synonin të ktheheshin.

Për shkak të sulmeve të rënda të Rusisë në infrastrukturën e vendit, qeveria ukrainase u ka rekomanduar qytetarëve të saj që kanë ikur të mos kthehen në shtëpi këtë dimër.

Që nga sulmi rus në Ukrainë në fund të shkurtit, mbi një milion refugjatë nga ky vend kanë kërkuar mbrojtje në Gjermani. Refugjatët nga Ukraina u nënshtrohen rregullave më të lehta se qytetarët e vendeve të tjera, të cilat duhet të lejojnë një integrim më të shpejtë.

Për refugjatët nga Siria, të cilët kanë mbërritur në Gjermani në fund të vitit 2015 dhe në fillim të vitit 2016, kuota e punësimit është 37 për qind.

(Kosova Sot Online)