EULEX për patrullimet në veri të Kosovës: Nuk kemi marrë përsipër përgjegjësi policore

  • E.K /
  • 18 November 2022 - 13:41
EULEX për patrullimet në veri të Kosovës: Nuk kemi marrë përsipër përgjegjësi policore

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka dërguar trupa të reja atje, pas dorëheqjes të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga komuniteti serb.

Mirëpo, nga zyra për Shtyp dhe Informim Publik të EULEX-it kanë bërë të ditur se ky mision nuk ka marrë përsipër përgjegjësi policore në veri të Kosovës.

“Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) nuk ka marrë përsipër përgjegjësi policore në Kosovën veriore. Për t’i monitoruar nga afër të gjitha zhvillimet të cilat mund të ndikojnë në sigurinë e Kosovës, si dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë, Njësia Policore e Specializuar e EULEX-it dhe Njësia Policore e Specializuar Rezervë i kanë shtuar në mënyrë të konsiderueshme patrullimet e tyre vëzhguese mobile në pjesën veriore të Kosovës në bashkërendim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in. Që nga data 16 nëntor, krahas shtimit të konsiderueshëm të patrullimeve vëzhguese mobile, zyrtarë nga Njësia Policore e Specializuar e EULEX-it dhe Njësia Policore e Specializuar Rezervë janë duke kryer edhe patrullime në këmbë në komunat veriore”, thuhet në përgjigjen e tyre.

(Kosova Sot Online)