Kurti: Më vjen keq që Spanja s’na njeh, nga 30 shtete të NATO-s, katër nuk na njohin

  • E.K /
  • 26 November 2022 - 14:55
Kurti: Më vjen keq që Spanja s’na njeh, nga 30 shtete të NATO-s, katër nuk na njohin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Spanjë ka marrë pjesë në mbledhjen e “Internacionales Socialiste”, ku  ka dhënë një intervistë për “El periodico” .

Kurti, ka shprehur keqardhje për mosnjohjen e Kosovës, nga ana e Spanjës, transmeton "Kosova Sot Online".

Albin Kurti ka treguar se nga 30 shtete të NATO-s, katër shtete nuk e njohin Kosovën, përfshirë Spanjën.

“Më vjen keq që Spanja është në minoritetin e vendeve të BE-së dhe NATO-së që vazhdojnë të mos e njohin Kosovën. Nga 30 shtete të NATO-s, katër nuk na njohin, përfshirë Spanjën. Dhe në BE janë pesë shtetet që s’na njohin, një nga to Spanja, por Spanja është shteti më i madh që s’na njeh. Unë mendoj se kjo mos-njohje vjen si rezultat i mungesës së njohurisë për situatën. Kur deklaruam pavarësinë, unë nuk e di cili nga politikanët spanjollë formuloi gabimisht analogji me rastin e Kosovës”, ka thënë Kurti për “El periodico”.

“Nga ajo çfarë na është thënë, ka qenë një shqetësim në Spanjë se pavarësia e Kosovës mund të shërbej si precedent për disa rajone spanjolle që dëshirojnë të shkëputen. Une mendoj se shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, kur e fitoi çmimin Princi i Asturias e kishte dhënë argumentin më të mirë se pse Spanja duhet ta njohë Kosovën”, ka thënë Kurti.

(Kosova Sot Online)